Konferenca e Prokurorisë Speciale, pritet të bëhet publike aktakuza për rastin Banjska

Prokuroria Speciale pritet të bëjë publike sot aktakuzën për rastin e sulmit terrorist që u bë në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator të 2023-ës.

KALLXO.com mëson se në aktakuzën e Prokurorisë Speciale për këtë rast janë të përfshirë mbi 40 persona.

Prokuroria Speciale sot ka paralajmëruar konferencë nga ora 12:00, ku konferenca do të mbahet nga vet kryeprokurori Blerim Isufaj.

Në orët e para të ditës më 24.09.2023, një njësi policore e cila ishte në patrullim në fshatin Zveçan njoftoi se dy kamionë ishin vendosur në urën që të çon drejtë brendësisë së fshatit Banjskë në të cilin gjenden dhjetëra shtëpi.

Rreshteri policor Afrim Bunjaku së bashku me dy kolegë të tij i ishin përgjigjur rastit, me ç’rast deri sa ishte afruar te kamionët e vendosur për të parë se çfarë po ndodhte një granatë kundër këmbësorisë me telekomandë kishte shpërthyer.

Rreshteri Afrim Bunjaku ishte vrarë në sulm më 24.09.2023 ndërsa dy kolegët e tij, njëri ishte plagosur e tjetri ishte lënduar.

Përgjegjësinë për sulmin e po ashtu edhe logjistikën e kishte marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili ishte arrestuar më 03.10.2023 në Beograd.

“Për këtë nuk kam njoftuar askënd, as strukturat e pushtetit të Republikës së Serbisë, as në veri dhe nga ta nuk kam pasur asnjë ndihmë sepse deri në atë kohë kishim qëndrime të ndryshme të dallueshme sa i përket mbrojtjes nga terrori i Kurtit, pasi populli serb ka ofruar rezistencë ndaj terrorit të Kurtit shumë raste për zbutje dhe qetësim të situatës politike” – thuhej në letrën e Radoiçiq, që lexoi avokati i tij më 29.09.2024.

Ai nuk e bëri këtë në mënyrë publike dhe vet por me anë të një letre që e lexoi avokati i tij, Goran Petronijeviq. Madje në po të njëjtën letër ai tha se jep dorëheqje nga pozita e tij në Listën Serbe.

Radoiçiq u intervistua nga Prokuroria në Serbi dhe është lënë i lirë që të hetohet në liri ndërsa vazhdon të jetojë atje.