Armatimi i sekuestruar në veri. Foto: Adelina Ahmeti, KALLXO.com/30.11.2024
Konferenca e jashtëzakonshme e Policisë, prezantohet armatimi i sekuestruar në veri- FOTO
Policia e Kosovës pritet të mbajë një konferencë për media lidhur me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.
Policia ka prezantuar uniforma ushtarake, logo, këpucë, armë të kalibrave të ndryshme të cilat janë sekuestruar nga zyrtarët policorë.
Policia e Kosovës ka kryer bastisje në Zveçan dhe ka gjetur armë.
KALLXO.com merr vesh se gjetja e armëve nuk ndërlidhet me rastin e shpërthimit në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.
Bastisja, sipas burimeve, është duke vazhduar ende.
Një shpërthim ka ndodhur më 29.11.2024 në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Vrragë të komunës së Zubin Potokut.
Qeveria e Kosovës thotë se ky sulm është dirigjuar e orkestruar nga Serbia e i kryer nga profesionistë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar se tashmë janë bërë arrestimet e para në lidhje me këtë rast. Këtë sulm e kanë dënuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Europian.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian, Joseph Borrel e ka quajtur sulm terrorist shpërthimin në kanalin ujor të Ibër Lepencit në Varagë të Zubin Potokut.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar më 30.11.2024 se pavarësisht dëmtimit që shpërthimi shkaktoi në kanalin e Ibër-Lepencit, kanë arritur të sigurojnë energji elektrike për vendin përmes vendosjes së gjashtë gypave të përkohshëm, me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit “Kosova B”.
Për këtë çështje, Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme në orën 1:30 të mëngjesit të sotëm (30.11.2024), ku ka diskutuar për këtë shpërthim. Në mbledhje, sipas një komunikate për media, u fol për ndërlidhjen e mundshme të rastit të djeshëm, me një sulm të ngjashëm rus në Ukrainë javën e kaluar.
Në këtë mbledhje janë diskutuar edhe masat emergjente që janë marrë dhe po merren për të zbutur pasojat e sulmit dhe për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend.
Ndërkohë, ekipe të Misionit Paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë dalë më 30.11.2024 në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur shpërthimi.