Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Koncept dokumenti për vetting i gatshëm, i dërgohet Qeverisë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë, do të votohet koncept-dokumenti për Vetting në drejtësi.

“Sot pas një punë të jashtëzakonshme intensive shumë profesionale të grupit punues, ne kemi proceduar për Qeveri koncept-dokumentin për zhvillimin e vettingut në sistemin e drejtësisë dhe do të votohet në mbledhjen e ardhshme”, tha ajo.

Në një konferencë për media, ministrja Haxhiu tha që për ta hartuar këtë dokument, janë marrë parasysh edhe praktikat e vendeve të tjera.

“Janë përfshirë praktika të ndryshme ndërkombëtare që kane qenë pjesë e vetting”, tha ajo.

Haxhiu, ka ripërseritur se për këtë proces, kanë bërë një analizë të thellë për mënyrat dhe format e zhvillimit të tij.

“Koncept dokumenti parasheh se vettingu do të fillohet me strukturën më të lartë hierarkike në gjyqësor dhe prokurori, për ta përfunduar ndaj të gjithëve në një afat optimal prej 5 viteve”, tha Haxhiu.

Ajo ka garantuar se vettingu në drejtësi nuk do të bëhet ndaj asnjë personi të caktuar.

“Duhet ta kthejmë besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Ky proces nuk bëhet kundër ndonjë emri të përvetshëm. Unë ftoj ta shohin prokurorët dhe gjyqtarët e mirë e të ndershëm që ta shohin këtë proces si diçka të domosdoshme e në interes të vendit, assesi si proces kundër tyre”, tha ajo.

Vetting-u është proces i rivlerësimit të pastërtisë së figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe ka për qëllim rritjen e tyre profesionale, luftimin e korrupsionit dhe ndikimin e krimit të organizuar, politikës apo elementëve të tjerë të paligjshëm në dhënien e drejtësisë.

Vettingu në drejtësi është një nga premtimet e qeverisë Kurti 2.