
KFOR-i në veri, 29 maj 2023 Foto: Afrim Ejupi/ KALLXO.com
Komuniteti Shqiptaro-Amerikan kërkon veprim të menjëhershëm ndaj Serbisë pas zhvillimeve në Veri
Komuniteti Shqiptaro-Amerikan ka kërkuar nga administrata amerikane që të marr masa ndaj Serbisë për nxitje të dhunës dhe sulm ndaj trupave të NATO-s në Kosovë.
Në një deklaratë dërguar mediave, Komuniteti Shqiptaro-Amerikan ka theksuar se palët duhet ti kthehen dialogut për njohje reciproke të udhëhequr nga SHBA-ja.
“Para se të bëhet vonë, i bëjmë thirrje administratës amerikane që t’i japë fund politikës së saj të përkëdheljes ndaj Serbisë dhe të insistojë që çdo dialog për normalizim të marrëdhënieve ndërshtetërore të udhëhiqet nga SHBA dhe të ketë në qendër njohjen reciproke të Kosovës dhe Serbisë, siç është deklaruar qartë Presidenti Biden dhe katër presidentët para tij”- thuhet ndër të tjera në deklaratë.
Poashtu Komuniteti ka pasur edhe një kërkesë ndaj Qeverisë së Kosovës dhe partive opozitare.
“Ne inkurajojmë qeverinë e Kosovës dhe partitë opozitare që të ndërtojnë një front të përbashkët kundër provokimeve dhe shantazhit serb, dhe të koordinohen ngushtë me aleatin kryesor të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”- thuhet tutje aty.
Deklarata e plotë e Komuniteti Shqiptaro-Amerikan:
Uashington D.C. – 31 Maj 2023
Jemi dëshmitarë të akteve të dhunës së kryer nga grupe të organizuara pro-ruse nga Serbia ndaj policëve të Kosovës, trupave paqeruajtëse të NATO-s dhe gazetarëve në veriun e Kosovës.
Aktet e serbëve etnikë që dhunshëm tentuan të hyjnë në objektet qeveritare, orkestruar direkt nga rexhimi i Beogradit, dëshmojnë kërcënimet e përsëritura ndaj paqes dhe sigurisë në një kohë tejet të tensionuar në Evropë. Këto akte dhune nga Vucici dhe falangat e tij, brenda territorit sovran të Republikës së Kosovës, nuk mund të kalojnë pa një reagim të ashpër nga komuniteti ndërkombtar.
Ne jemi të shqetësuar se qëllimi i rexhimit të Beogradit, në përputhje me lojalitetin e tyre ndaj Rusisë, është që konflikti të shpërthejë dhe të përhapet në vendet fqinje, duke ndezur potencialisht luftëra të reja në Ballkan – për të hapur një front tjetër në Evropë. Është e domosdoshme që SHBA dhe aleatët e saj të kuptojnë më në fund peshën e rëndë të situatës dhe të marrin një qëndrim të vendosur kundër shantazhit nga Serbia në vend të përkëdheljes së vazhdueshme ndaj provokimeve të saj. Është thelbësore që Serbia të kuptojë përkushtimin e Perëndimit drejt paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe më gjerë, dhe se pasojat e veprimeve në kundërshtim me këtë do të jenë të rrepta.
Ne inkurajojmë qeverinë e Kosovës dhe partitë opozitare që të ndërtojnë një front të përbashkët kundër provokimeve dhe shantazhit serb, dhe të koordinohen ngushtë me aleatin kryesor të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përkundër mungesës së fundit të masave të domosdoshme kundër Vucicit dhe ndërmarrjes së tij kriminale, Shtetet e Bashkuara kanë vazhduar të jenë mbështetës i fuqishëm i sigurisë dhe sovranitetit të Kosovës – përkushtuar për të mbështetur demokracinë e saj pa përjashtim.
Po ashtu, para se të bëhet vonë, i bëjmë thirrje administratës amerikane që t’i japë fund politikës së saj të përkëdheljes ndaj Serbisë dhe të insistojë që çdo dialog për normalizim të marrëdhënieve ndërshtetërore të udhëhiqet nga SHBA dhe të ketë në qendër njohjen reciproke të Kosovës dhe Sërbisë, siç është deklaruar qartë Presidenti Biden dhe katër presidentët para tij.
Duke forcuar partneritetin ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, të dy vendet mund të punojnë drejt përfundimit të ciklit të dhunës dhe arritjes së një paqeje të qëndrueshme në Ballkan, duke evituar ndikimin dhe agresionin rus dhe kinez në Evropën Juglindore.
Nënshkruesit e deklaratës, Organizatat shqiptaro-amerikane:
Kongresi Panshqiptar Amerikan (KPA)
Batalioni Atlantiku – Atlantic Battalion
Federata Panshiqptare – VATRA
Shoqata Malesia e Madhe, Neë York
Shoqata Malesia e Madhe, Michigan
Komuniteti Shqiptaro-Amerikan nga Illinois (KShAI)
Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare
Shoqata Peja – New York
Shoqata Kraja
Shoqata Ulqini – Chicago
Shoqata Çameria
Shoqata Prespa – Chicago
Shoqata Uskana
Fondacioni Plavë Guci
Shoqata Ana e Malit
Shoqata Valet e Liqenit
Shoqata Jehona – Michigan
Fondacioni Lukaj