Urë mbi rrjedhën e Vjosës pranë qytetit të Tepelenës | Foto : Nensi Bogdani

Komuniteti i Energjisë përshëndet anulimin e digave në Vjosë

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë publikoi mëngjesin e së mërkurës në faqen zyrtare një reagim mbi deklaratën e bërë prej Kryeministrit të Shqiperisë, Edit Rama, mbi anulimin e planeve për ndërtimin e hindrocentraleve në lumin Vjosa.

Deklarata erdhi dy javë pasi Sekretariati i energjisë hapi një çështjen për digën e Poçemit dhe ndikimin  që ky projekt energjetik mund të ketë në lumin Vjosë.

“Ne mbështesim plotësisht qeverinë shqiptare në këtë vendim,” tha Sekretariati i Energjisë.

“Vlerësimi ynë në rastin e Poçemit tregoi se cilësia e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM) dhe procedura e kësaj VNM-je nuk kanë qenë të duhurat për hidrocentrale me një ndikim kaq masiv për ekosistemin e lumit Vjosa,” është shprehur zv/drejtori Dirk Buschle, duke  theksuar se Vjosa mbetet një nga lumenjtë e fundit të egër në Europë.

Komuniteti i Energjisë është një organizatë ndërkombëtare e cila që prej vitit 2005 synon të sjellë më afër vendet e Bashkimit Europian me vendet e tjera fqinje, në mënyrë që të krijohet një treg i integruar pan-europian i energjisë

Deklarata e Komunitetit të Energjisë pasoi kundërshtimin e lejes së ndërtimit për hidrocentralin e Poçemit. Pak ditë më parë kryeministri Edi Rama deklaroi nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale se nuk kishte asnjë plan për ndërtime hidrocentralesh në Vjosë, dhe se qeveria e kishte shpallur Vjosën e Sipërme park kombëtar.

“Qeveria jonë e ka shpallur park kombëtar Vjosën e lartme. Ministria jonë e Mjedisit ka refuzuar zyrtarisht të japë leje për projekte HEC-esh në Vjosën e poshtme që do të integrohet me parkun,” tha Rama.

“Vala shkatërruese e qeverisë së vjetër mbi lumenjtë në tërësi është zmbrapsur ka kohë,” shtoi ai.

Shkencëtaret e huaj dhe ata shqiptarë prej vitesh nuk kanë hequr dorë prej përpjekjeje të tyre në mbrojte të lumit Vjosa – të cilin e kanë cilësuar si zemra e egër e Europës, përpjekje këto që mesa duket po fillojnë të japin rezultate. (reporter.al)