Kontrollat e policisë në Maqedoninë e Veriut Foto: RTV21

Komuniteti Bektashian i Kosovës: Policia maqedonase po i mban mbyllur dervishët e Tetovës

Komuniteti Bektashian i Kosovës – Gjyshata Gjakovë ka reaguar ndaj asaj që Komuniteti e quan skandal që po ndodh në Maqedoninë e Veriut.

Sipas Komunitetit, Policia e Maqedonisë së Veriut po i mban mbyllur dervishët bektashinj të Tetovës.

“Dy dervishet bektashinj te Teqese Harabati Baba, dervish Abdylmytalibi dhe dervish Hyseni  po mbahen ne polici qe nga ora 14:00”, ka njoftuar Komuniteti Bektashian i Kosovës, i cili nuk jep detaje se pse po ndodh kjo.

“Në ditën e fundit të agjërimit të Matemit, Bektashinjtë e Tetovës nuk patën mendjen vetëm te ritualet, por edhe te mbrojtja e pragut të tempullit të tyre fetar, Teqesë Harabati Baba” – thuhet në njoftim.

Ky Komunitet thotë se bektashinjtë janë të rrezikuar në Tetovë. “Ka rrezik te madh ne Tetove. Rrezik ndaj bektashinjve dhe ekzistencës së tyre.”

Harabati Baba Teqe është selia e Komunitetit Bektashian të Maqedonisë së Veriut dhe përbën kompleksin më të rëndësishëm historik të bektashinjve në gjithë gadishullin ballkanik, veçanërisht me rëndësi për bektashinjtë shqiptarë.