
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Komunitetet joshumicë protestojnë kundër 'uzurpimit' të vendeve të garantuara në Kuvend
Përfaqësues të disa partive politike të komuniteteve jo shumicë e aktivistë, kanë protestuar sot për të kundërshtuar “uzurpimin” e vendeve të garantuara në Parlament.
Osman Dzudzeviq, nga subjekti politik boshnjak “Nasa Inicijativa”, tha se në zgjedhjet e 14 shkurtit është shkelur e drejta e komuniteteve.
“Vendimin për si është shkelur Kushtetuta e merr Gjykata Kushtetuese, por ne supozojmë që nuk ka përfaqësim efektiv, që është një prej parimeve Kushtetuese më burimore për përfaqësimin e komuniteteve në Kuvend. Njëkohësisht ka tendenca dhe supozojmë që është shkelur e drejta e komuniteteve me rezultatet e zgjedhjeve të 14 shkurtit”, ka thënë Dzudzeviq.
Ai tha se bëhet fjalë për manipulim të procesit zgjedhor që për pasojë e ka reduktimin ose pamundësinë për komunitetet me u përfaqësu me elektorat të komuniteteve.
Sipas tij shikuar në terma afatgjata komunitetet jo shumicë do të behën vegla të komuniteteve më të mëdha ku do të cenohet e drejta edhe e votimit edhe e përfaqësimit të komuniteteve.
“Angazhimi politik i komuniteteve do të humbë substancë dhe sens sepse do të zgjedhën nga votat që vijnë nga komunitetet shumicë kështu që rrezikohet komplet parimi i përfaqësimit dhe hapësira politike dhe vendimmarrëse e komuniteteve”, tha në mes tjerash Dzudzeviq.
Partitë politike të miniroteteve, partitë shqiptare e organizata të ndryshme kanë ngritur dyshime se Lista Serbe ka shpërndarë votat e komunitetit serb në disa iniciativa të komuniteteve.