Komunikimi i nxënësve shqiptarë dhe serbë, bëhet përmes përkthyesve

Edhe pse mësojnë në të njëjtin objekt shkollor, nxënësit e shkollës “Daut Bogujevci” në Fushë Kosovë dhe ata të shkollës “Aca Maroviç” duhet të komunikojnë duke përdorur përkthyesit. Në dy shkollat nxënësit të cilët jetojnë në komunën me komunitetet e përziera nuk mësojnë gjuhën e njëri-tjetrit.

Si rrjedhojë komunikimi është i vështirësuar, ndërsa e ardhmja e të rinjve në punësim e vështirë. Pa njohur gjuhën e njëri tjetrit të rinjtë nuk arrijnë të gjejnë vende pune në bizneset e zonës ndërsa komunikimi me bashkëmoshatarët i vështirësuar.

Në Kosovë, në shkollat e komunitetit shqiptar nuk ka mësim në gjuhën serbe, ndërsa standardi i njëjtë përdoret edhe në shkollat me mësimin në gjuhën serbe ku nxënësit nuk mësojnë gjuhën shqipe.

“Në shkollën tonë janë 800 nxënës, nga ta janë 96 nxënës tw komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptantë, që janë tw integruar në shkollë dhe procesin mësimor e ndjekin në kuadër të kësaj shkolle, por në ambientet e kësaj shkolle, procesin mësimor e zhvillon edhe shkolla serbe 8 klasëshe, shkolla fillore Aca Maroviq që procesin mësimor e realizon sipas sistemit të Serbisë”, thotë drejtori i shkollës ‘Daut Bogojevci” në Fushë Kosovë, Sabri Gjigolli.

“Stafi i vjetër i shkollës njohin gjuhët e njëri tjetrit dhe komunikimi në mes tyre nuk është problem. Kjo sidomos në komunikimin në mes drejtorit e stafit teknik të cilët mirëmbajnë bashkërisht objektin. Problemet janë hasur ku shkollat kanë dashur të zhvillojnë aktivitete të përbashkëta. Për implementimin e këtyre aktiviteteve është dashur që shkolla të angazhoj përkthyes”, shton ai.

Organizata joqeveritare Nisma e të rinjve në Mitrovicë merret me aktivitete të të rinjve të të gjitha komuniteteve. Përfshirja e mësimit zgjedhor për mësimin e gjuhëve të komuniteteve në shkollat fillore e të mesme shihet si zgjidhje për problemet e komunikimit dhe ngritjen e komunikimit në mes komuniteteve.

“Konsideroj se kjo është e domosdoshme, konsideroj se kjo disi do të ulte tensionet dhe çfarëdo situate të mundshme konflikti në të ardhmen. Mendoj se komunikimi është faktori më i rëndësishëm për ndërtimin e besimit ndërmjet njerëzve në Kosovë dhe për këtë arsye konsideroj se këto dy gjuhë do të duhej të përfshiheshin në sistemin arsimor. Pra, që rinjtë, respektivisht fëmijët të mësonin edhe njërën edhe gjuhën tjetër që nga klasa e parë e shkollës fillore”, thotë Millosh Millovanoviq për BIRN.

Gracanica është një komunë tjetër ku në shumicë janë komuniteti serb. Në komunën e cila është ngjitur me Prishtinën, nxënësit ende nuk mësojnë gjuhën shqipe dhe kjo pengon shumë komunikimin e si rrjedhojë punësimin e zhvillimin e bizneseve e aktiviteteve të tjera ndëretnike.

Në komunën e Graqanicës, drejtoria e arsimit nuk ka ndonjë shpjegim pse gjuha shqipe nuk është pjesë e mësimit zgjedhorë. Kjo sipas tyre është kompetencë e nivelit qendrorë, i cili do duhej të trajtoj dhe ngrisë diskutimin në këtë temë.

Niveli lokal nuk pranon të flasë për këtë temë ndërsa qytetarët që jetojnë në këtë zonë mendojnë që duhet të kenë mundësi të mësojnë gjuhën.

Në vitet e fundit biznesi i përkthimit në Kosovë ka pasur një rritje bukur të madhe. Megjithatë kompanitë e përkthimit kanë probleme të sigurojnë njohës të mirë të gjuhëve për shkak të mungesë së edukimit në shkollat fillore dhe të mesme.

Bruno Neziraj, i cili është përkthyes në Kosovë vlerëson se përveç kurseve, institucionet e Kosovës duhet të konsiderojnë edhe futjen e dy gjuhëve si lëndë zgjedhore.

“Nëse mendojmë të kemi një komunikim më të mirë ndërmjet vete, kisha thënë që ndoshta nuk kish me qenë mirë krijimi i kurseve, por të mendohet në drejtim të futjes së gjuhës serbe në sistemin arsimor në shkollat fillore e të mesme, si lëndë zgjedhore, ndoshta më vonë edhe për diçka më të madhe”, thotë ai.

Gazetarja, Zana Cimili, i njeh dy gjuhët zyrtare të Kosovës dhe tregon se cilat janë përparësitë në profesionin që ajo e ushtron.

“Është përparësi e madhe që përveç gjuhës shqipe me fol si gazetare edhe gjuhën e dytë zyrtare e cila është serbishtja, posaçërisht kur kemi të bëjmë me tema të ndryshme, storje nga tereni, nga vendet ku flitet vetëm serbisht është e lehtë që të kuptohet esenca menjëherë dhe jo të ketë stërzgjatje sa i përket përkthimit derisa kthehesh në zyrë”, thotë Zana Cimili për BIRN.

Që nga viti 2000, të gjitha shkollat fillore dhe të mesme që mësojnë serbët e Kosovës, funksionojnë me plan-programet e Serbisë në kurrikulat e të cilave nuk është përfshirë mësimi i gjuhës shqipe. E njëjta situatë është edhe me kurrikulat e mësimit në gjuhën shqipe, ku në asnjë komunë në mësimin zgjedhor nuk parashihet mësimi i gjuhës Serbe.

Në ministrinë e Arsimit ende nuk ka një plan konkret i cili do e trajtonte këtë temë megjithatë diskutimet e fundit në publik kanë ngritur nevojën që në ministri të mendohet për zgjidhje në këtë drejtim.

“Të gjitha shkollat ku zhvillohet mësimi në gjuhën serbe funksionojnë më kurrikulë të Serbisë. Numrin e saktë nuk e di përmendsh, por mund të gjendet, mirëpo kjo është një dukuri dhe është një çështje politike, sepse ende nuk kemi ardhur që pikën që komunitetit serb ta pranojë autoritetin e Kosovës në fushën e Arsimit”, thotë zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci.

Raporte vendore e ndërkombëtare e po ashtu plani strategjik për arsimin në Kosovë parashohin që nëpërmjet arsimit të zgjidhen problemet e komunikimit në mes komuniteteve.

Nevoja për t’i zgjidhur këto probleme është evidente ndërsa planet vazhdojnë të mbesin ende në letër.

Deri në nisjen e implementimit, nxënësit në shkollat e përziera do komunikojnë duke përdorur përkthyes.