
Komunës së Suharekës i bllokohen xhirollogaritë bankare si pasojë e kontratës kolektive
Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, deklaroi se më 28.10.2024 është njoftuar nga institucionet e nivelit qendror se u është bllokuar qasja në xhirollogaritë e Komunës.
Ai ka thënë se ky bllokim ka ndodhur si pasojë e kontratës kolektive.
“Ky bllokim ka ndodhur si pasojë e kontratës kolektive. Kjo situatë siç është paralajmëruar edhe nga Asociacioni i Komunave, do të vazhdoj edhe në komunat tjera, nëse nuk merren masa të menjëhershme, si pasojë e kontratës kolektive. Ne kemi obligime financiare për projektet që i kemi planifikuar, dhe nuk duhet të mbesim peng e një marrëveshje të cilën duhet t’a zbatoj Qeveria e Kosovës, e ku pasojat tashmë po i bartim ne si komuna”- ka thënë ai.
Tutje Muharremaj ka thënë se për këtë situatë duhet të veproj^ urgjentisht edhe Kuvendi i Republikës së Kosovës ngase, sipas tij, situata e vështirë financiare do të rëndohet edhe më shumë.
Lidhur me rastin ka reaguar edhe kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, i cili ka thënë se kjo mund t’u ndodhë edhe komunave të tjera nëse Qeveria nuk ka vullnet për të gjetur zgjidhje të këtij problemi.
“Qeveria ia bllokoi Komunës së Suharekës xhirollogarinë bankare si pasojë e kontratës kolektive dhe mosgatishmërisë se qeverisë për ta zgjidhur këtë problem. Kjo mund t’i ndodh edhe komunave tjera nëse qeveria nuk ka vullnet për të gjetur zgjidhje të këtij problemi. AKK edhe njëherë kërkon nga qeveria që t’i dëgjojë komunat dhe të reflektojë në kërkesat e tyre për kontratën kolektive”- ka thënë ai.
KALLXO.com ka kërkuar informacione nga Qeveria e Kosovës dhe është në pritje të përgjigjes.
Vitin e kaluar, KALLXO.com ka raportuar se kontrata kolektive e lidhur mes Ministrisë së Arsimit dhe Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës po u shkakton probleme financiare komunave të Kosovës.
Pavarësisht se nuk janë pjesëmarrës në nënshkrimin e marrëveshjes, obligimet financiare të kësaj kontrate, për arsimin parauniversitar po detyrohen që t’i mbulojnë komunat.
Kontrata kolektive e nënshkruar në janar të vitit 2021 mes Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së asaj kohe dhe SBASHK-ut ka për qëllim përcaktimin e të drejtave dhe obligimeve të të punësuarve, punëdhënësit dhe nënshkruesve të kontratës, në arsimin universitar dhe parauniversitar.
‘Patatja e nxehtë’ – Kontrata kolektive ua merr komunave mbi 26 milionë euro në 2024