Komunat shpenzuan 12 milion euro për vendimet gjyqësore

38 komunat e Kosovës gjatë periudhës janar-tetor të vitit 2019 shpenzuan plotë 12 milionë euro, për vendimet gjyqësore të humbura.

Kështu u tha gjatë prezantimit të një raporti nga ana e Lëvizjes ‘FOL’, për shpenzimet e komunave nëpër raste gjyqësore.

Komuna që shpenzoi më së shumti ishte ajo e Leposaviqit, ku nga 4 milion e 642 mijë euro sa e kishte buxhetin fillestar për vitin 2019, 1 milion e 334 mijë euro i shkuan për raste gjyqësore të humbura.

Pas Leposaviqit, renditet e dyta komuna e Ferizajit me 3 milion e 726 mijë euro të shpenzuara , nga 36 milion e 976 mijë euro sa e kishte buxhetin fillestar për vitin 2019.

E treta me radhë është komuna e Mitrovicës së Jugut, me 1 milion e 254 mijë euro, apo 6.33% të buxhetit total.

Deçani është komuna e katërt sa i përket shpenzimeve në raste gjyqësore, ku nga 8 milion e 951 mijë euro të buxhetit, shpenzoi 401 mijë euro.

E pesta është komuna e Drenasit, ku shpenzuan 3.63% të buxhetit fillestar prej 15 milion e 171 mijë euro, për raste gjyqësore të humbura.

Ndërsa e gjashta si komuna që ka shpenzuar më së shumti në raste gjyqësore është ajo e Kllokotit, duke shpenzuar 40 mijë e 421 euro, nga 1 milion e 241 mijë euro të buxhetit fillestar, apo përkthyer në përqindje, 3.26%.

Elbasan Racaj nga Lëvizja ‘FOL’, tha se e kanë pasur të vështirë hartimin e raportit, sepse sipas tij, ka mjaft komuna që nuk i publikojnë raportet financiare dhe është e vështirë vlerësimi. Racaj tha se nga 38 komuna, vetëm ajo e Drenasit ka bërë kërkesë që të mbrohet nëpër rastet gjyqësore nga ana e Avokatit të Shtetit.

Ky raport gjithashtu ka gjetur komunat që kanë shpenzuar më pak nëpër rastet gjyqësore.

E para është ajo e Shtërpcës me vetëm 1 mijë e 490 euro të shpenzuar, nga 4 milion e 46 mijë euro sa e kishte buxhetin fillestar për vitin 2019. Pas Shtërpcës vijnë komunat e Ranillugut, Obiliqit, Dragashit, Hanit të Elezit dhe të Graçanicës.