Ilustrim

Komunat presin ritestimet për ta zvogëluar barrën e pandemisë

Që nga 13 marsi kur Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik bëri të ditur dy rastet e parë me të infektuar me COVID-19, në Kosovë për çdo natë ka pasur raste me të infektuar nga Coronavirusi.

Nën përkujdesjen e gjithë stafit shëndetësor në vend, disa nga pacientët që kishin gjendjen më të rëndë u shtruan në spital, ndërsa të tjerët u vetizoluan në shtëpitë e tyre.

Javën e fundit ka filluar të u bëhet ritestimi personave të infektuar. Për t’u konsideruar si të shëruar, secili nga pacientët duhet të dalë negativ në dy ritestime.

Në Komunën ku u nis  “lufta” me coronavirus në vend, në Viti, nga 53 të infektuarit, 42 janë shëruar edhe vetëm 11 janë ende aktivë.

Këtë e ka konfirmuar kryetari i kësaj komune, Sokol Haliti.

“Kanë qenë 53 të infektuar, 20 të shëruar, ndërsa 22 kanë dalë dje (negativë), do të thotë kanë mbetë edhe 11 të infektuar. Gjendja e tyre është e mirë”, tha ai.

Të gjithë të infektuarit që tashmë rezultojnë të shëruar janë kthyer në shtëpi, thotë Haliti.

“Ata që janë dalë negativë të gjithë kanë ardhë në shtëpi”, theksoi ai.

Edhe Komuna e Suharekës ka filluar ritestimet për fazën e dytë.

Drejtoresha e Shëndetësisë në këtë komuën, Sala Bytyqi, tha se nga ritestimet e bëri deri më tani janë 32 të shëruar, ndërsa edhe katër raste të tjera janë aktive me coronavirus.

Vetëm dje në këtë komunë janë bërë 19 teste, të gjithë dolën negativë, thotë drejtoresha.

“Dje janë ritestuar 19 persona, të gjithë kanë dalë negative, është testi i dytë dhe janë definitivisht të shëruar. Në Suharekë janë 32 të shëruar, një i vdekur, tre i kemi të dializës që janë aktiv si dhe një i cili pas ritestimit ka dalë pozitivë, do të thotë katër janë ende aktivë me COVID-19”, u shpreh Bytyqi.

Ajo shtoi se aq sa ka informacione sot nuk është është bërë asnjë ritestim.

“Aq sa kam informacion sot nuk janë bërë, të planifikuar nuk kemi vetëm nëse shkon ndonjë pa planifikim”, potencoi ajo.

Komuna e Klinës, edhe pse në fillim kishte pesë raste me COVID-19, tani nuk e ka asnjë rast aktiv.

Pesë personat që kanë qenë pozitivë me coronavirus janë ritestuar dhe kanë dalë negativë, ka konfirmuar drejtori i Shëndetësisë në këtë komunë, Hekuran Sejdiu.

“Ne i kemi pasë vetëm pesë raste, ata janë ritestu, ndërsa të tjerët që kanë qenë të dyshuar vetëm janë ritestu, kanë dal negativë dhe është përfundu procedura me ta, sipas protokolit të Klinikës Infektive këta ritestohen dhe në rast se edhe testi i dytë del negative konsiderohen të shëruar”, tregoi ai.

Sejdiu tha se komuna e Klinës nuk ka pasur më asnjë rast të ri.

“Nuk e ka asnjë rast aktivë të njohur me Coronavirus, këto raste po janë asimptomatike mundet me pas një person që nuk e di askush dhe as vetë pacienti, por aktiv asnjë nuk është”, ka Sejdiu.

Që nga java e ardhshme edhe komuna e Pejës do të radhitet në listën e komunave që po ritestojnë të infektuarit.

Petrit Loci, nga Drejtoria e Shëndetësisë në Pejë, konfirmoin se sot është marrë vetëm një mostër për ritestim, javëve në vazhdim do të merren më shumë mostra.

“Faktikisht ritestimet pritet me fillu prej ditëve të ardhshme, nesër një pjesë e pastaj varësisht prej ditëve qysh bëhen. Sot vetëm një mostër është marrë për ritestim nuk kemi më shumë, ndërsa ditëve të ardhshme fillon ritestimi me një numër më të madh, pasi që janë bërë ritestimet e personave të prekur që kanë qenë”, u shpreh Loci.

Rezultatet e personit të ritestuar sot, pritet të dalin në mbrëmje ose nesër, tha ai.

Numri i personave të shëruar është rritur dukshëm edhe në komunat tjera, këtu duke përfshirë komunën e Ferizajt e cila ka numrin e të infektuarve më të lartë në vend.

Në anën tjetër, nga 856 të infektuarit në nivel vendi, 26 persona nuk arritën të përballojnë këtë infeksion, ndërsa 490 të tjerë janë shëruar.

Të gjithë personat e vdekur, sipas Klinikës Infektive kishin edhe sëmundje tjera shoqëruese.

Qeveria e Kosoves, gjithashtu mori vendimin  që nga 4 maji, masat të zbuten, qytetarët brenda ditës mund të lëviznin vetëm nga një orë e gjysmë,  tani e kanë të drejtën të lëvizin dy herë në ditë nga një orë e gjysme.

Paga stimuluese për stafin shëndetësor tashmë është transferuar, javëve në vazhdim pritet që këto paga t’i marrin edhe kategoritë tjera në Kosovë.