Komunat padisin Ministrinë e Shëndetësisë dhe atë të Arsimit

Asociacioni i Komunave të Kosovës sot ka dorëzuar padi ndaj Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Arsimin me pretendimin se këto dy dikastere qeveritare u kanë shkaktuar humbje mbi 35 milionë euroshe.

Këto dëme, sipas komunave, u janë shkaktuar për shkak të shpenzimit të mjeteve kapitale.

Kryetari i Asociacionit të Komunave, Sazan Ibrahimi, ka thënë se janë mbi 26 komuna që kanë dorëzuar padi për dëmet ndër vite, të cilat sipas tyre, kanë arritur mbi 35 milionë euro.

“Siç kemi paralajmëruar, sot Komunat e Kosovës do të deponojnë padi sa i përket çështjes së kontratave kolektive ndaj Ministrisë së Arsimit dhe Shëndetësisë, ku vlera e dëmit në bazë të vlerësimeve të AKK tejkalon shumën e 35 milionë eurove. Synimi kryesor i komunave është që këto mjete financiare të kthehen komunave buxheteve komunale në mënyrë që këto mjete financiare të gjejnë zbatim në shumë projekte kapitale të cilat shkojnë në të mirën e qytetarëve”, ka thënë Ibrahimi.

Sipas komunave, është hera e parë që janë duke u përballur me investime kaq të vogla në këto dy sektore.