Komunat nuk u furnizuan mjaftueshëm me barna – Faji mbetet jetim?
Në nëntë muajt e parë të këtij viti, Komuna e Drenasit ka qenë e furnizuar vetëm me 25.26 për qind të barnave nga lista esenciale.
Qytetarët e Drenasit e të shumë komunave të tjera vazhdojnë të blejnë barna nga xhepi i tyre, kur ato nuk ua ofron shteti, ndonëse e ka obligim.
Në shumë komuna mungesat janë bazike që prej shiringave, kanillave, infuzioneve, alkoolit, fashave e deri të tretja (NaCl) e medikamenteve si dexamethasone, diclofenac e diazepam, të gjitha këto pjesë të Listës së Barnave Esenciale.
Me një situatë të tillë është përballur edhe një qytetare e Vushtrrisë, e cila shpreh pakënaqësinë e saj në kushte anonimiteti.
“Në gusht, për dy ditë rresht kam ble diazepam për infuzion sepse nuk e kanë pas as në QKMF e as në QMF-në që është në periferi të Vushtrrisë” – tha ajo për KALLXO.com.
Përveç pjesës financiare, blerja e barnave nga vetë pacientët shkakon edhe një problem tjetër.
“Kjo shkakton probleme së pari pasi që si taksapaguese pres që të paktën barnat esenciale të gjenden në QKMF. Në anën tjetër ti jo çdo herë mund të jesh me përcjellës dhe detyrohesh që në dhimbjen tënde të dalësh e të kërkosh barna” – tha ajo.
Buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë për barna këtë vit është 21.2 milionë euro, ndërsa vitin e kaluar ishte 21.1 milionë. Ky buxhet është i ndarë nga ai i Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës (ShSKUK), institucion që ofron shërbime të kujdesit dytësor dhe tretësor shëndetësor.
Niveli i furnizimit me barna e material shpenzues dallon nga komuna në komunë edhe pse të gjitha furnizohen nga Ministria e Shëndetësisë. Përderisa disa janë furnizuar me më pak se 30 për qind të nevojave, të tjerat janë furnizuar me 70 për qind.
KALLXO.com ka dërguar pyetje në të gjitha komunat e Kosovës dhe ka pranuar përgjigje nga 19 prej tyre. Komunat janë përgjegjëse për ofrimin e shërbimeve parësore shëndetësore që përfshijnë institucionet si qendrat dhe ambulantat e mjekësisë familjare.
E ndonëse komunave u është kërkuar informacion për përqindjen e furnizimit bazuar në planifikim dhe disa prej tyre kanë cekur se përqindja është llogaritur në krahasim me kërkesat e tyre drejtuar Ministrisë, kjo e fundit fajin ua lë komunave.
Edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia e edhe Ministria përmes përgjigjeve me shkrim thanë se furnizimi është bërë sipas kërkesave që kanë bërë komunat.
Sipas ministrit, disa komuna dërgojnë kërkesa shabllon, të painformuara se është rritur furnizimi. Ai shtoi se në këtë aspekt po punojnë për të rritur komunikimin dhe koordinimin mes nivelit qendror e atij lokal.
Nga 25 deri në 70 për qind furnizim
Tetë prej komunave që kanë kthyer përgjigje, kanë thënë se furnizimi nga janari deri në shtator 2024 ka qenë nën 40 për qind, madje dy prej tyre edhe nën 30.
Në tri komuna, furnizimi me barna ka qenë shumë më i kënaqshëm me 70 për qind. Në dy të tjera më pak se 70, e në tri të tjera më pak se 50.
Ndërsa, dy prej komunave të banuara me shumicë serbe kanë treguar se nuk janë furnizuar fare nga Ministria e Shëndetësisë. Shëndetësia në komuna me shumicë serbe e shumë fusha të tjera funksionojnë me sistem paralel dhe nuk menaxhohen nga institucionet qendrore të Kosovës.
Përveç Drenasit, edhe Vitia ka pasur përqindje të ulët të furnizimit, 27.46. Pak më e mirë gjendja ka qenë në Klinë, Han të Elezit, Vushtrri, Ferizaj, Mitrovicë të Jugut, Malishevë e Suharekë, të cilat janë furnizuar me më pak se 40 për qind të barnave esenciale.
E më së shumti barna kanë pasur Peja, Obiliqi e Lipjani, të cilat janë furnizuar me 70 për qind të sasisë që kanë planifikuar. Atyre u afrohet edhe Kamenica me 69.2 për qind.
Në përgjithësi, më i qëndrueshëm ka qenë furnizimi me material shpenzues, 43.06 më së paku në Mitrovicë të Jugut e më së shumti në Kamenicë, e cila edhe ka tejkaluar nevojat e veta me 104 për qind.
Por, mesatarja në Kamenicë nuk do të thotë që furnizimi ka qenë i mjaftueshëm gjatë tërë këtyre 9 muajve.
Furnizimi me barna e material në këtë komunë ka pasur dallim të theksuar nga muaji në muaj.
Në janar furnizimi me barna ka qenë vetëm 13 për qind, ndërsa në mars 100 për qind. E befasia shkon edhe më tej në shtator, kur kjo komunë u furnizua me dyfishin e kërkesës për material shpenzues, duke e çuar vlerën në 200 për qind.
Shumica e komunave kanë dërguar të dhëna për secilin tremujor. Prishtina dhe Gjakova kanë cekur se Ministria ka vendosur që furnizimi të bëhet çdo tre muaj.
Kamenica ka qenë e vetmja e cila ka dërguar të dhënat ku shihet se furnizimi është bërë në janar, mars, maj, korrik, gusht dhe shtator.
Mungesa e komunikimit mes nivelit qendror e atij lokal
Mungesa e barnave nëpër komuna nuk është problem real, sipas udhëheqësit të shëndetësisë në vend, i cili tha se kjo është pasojë e mungesës së komunikimit mes nivelit qendror dhe atij lokal.
“Këtë më shumë e marr si pjesë të moskomunikimit në mes të departamentit të farmacisë në MSh dhe barnatoreve e farmacistëve nëpër komuna se sa një problem real, sepse në masën 30 për qind as që bëhet fjalë që tash ka mungesa të tilla nëpër komuna, por është vetëm ky keqkuptim ose jokoordinim i duhur” – tha ministri Vitia.
Ai drejtoi gishtin kah komunat, duke thënë se ato nuk janë të informuara mjaftueshëm që furnizimi me barna është rritur dhe dërgojnë kërkesat në mënyrë shabllon, siç kanë bërë më herët.
Megjithatë, të dhënat e dërguara nga disa prej komunave kanë cekur që përqindja është e bazuar në planifikime apo kërkesa që i kanë adresuar në Ministri.
“Ne në Ministri kemi iniciuar tash një proces ku duhet të bashkëpunohet me komunat, sepse një pjesë e komunave si duket në mënyrë shabllonike i kanë bërë kërkesat, siç i kanë bërë më herët dhe nuk janë të njoftuara ndoshta mjaftueshëm se sa është rritur furnizimi, sidomos në dy tre muajt e fundit” – tha Vitia për KALLXO.com, më 03.10.2024.
Ministri ndau fajin mes institucionit që ai vetë drejton dhe institucioneve lokale, për të cilat tha se duhet t’i bëjnë kërkesat, siç i kanë nevojat dhe në bazë të Listës së Barnave Esenciale.
“Nëse është një pjesë e fajit që thash se është adresuar në Ministrinë e Shëndetësisë dhe jemi duke u marrë me këtë punë, është një pjesë (e fajit) edhe e komunave që duhet ta bëjnë këtë, sepse siç e dini edhe ju kujdesi parësor shëndetësor menaxhohet nga niveli lokal” – deklaroi ai.
Ministria e Shëndetësisë përmes përgjigjes me shkrim më 11.10.2024 tha se furnizimi bëhet në bazë të kërkesave të komunave.
“Sa i përket Kujdesit Parësor Shëndetësor, MSh ka kontrata të lidhura 85% për barna dhe 90 % për material shpenzues” – tha Ministria.
Lidhur me dallimin në furnizim mes komunave, Ministria tha se Divizioni i Farmacisë aprovon kërkesat që u vijnë nga QKMF-të, që nënkupton se çdo zyrtar i institucionit është përgjegjës për mos kërkesë për furnizim nga Ministria e Shëndetësisë.
“Proces i vështirë”
Prej disa komunave që kanë ofruar të dhënat e furnizimit, procesi i furnizimit me barna është cilësuar si i vështirë.
“Sigurimi i barnave është proces i vështirë, në të cilin edhe unë kam qenë pjesë e komisioneve për furnizim me barna esenciale, ku jemi përballur me vështirësi të ndryshme” – ka thënë Shqipdon Krasniqi, farmacist në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë.
Një prej vështirësive që ai ka përmendur janë ankesat e operatorëve ekonomikë në tendere, duke ndikuar në vonimin dhe shtyrjen e furnizimit.
“Proces të vështirë me problematika të llojeve të ndryshme”- e ka quajtur edhe drejtoresha e QKMF-së në Suharekë, Sale Bytyqi.
Ndikim në zinxhirin e furnizimit kanë pasur edhe dinamikat globale e rajonale, sipas drejtoreshës së QKMF-së në Ferizaj, Nadire Ymeri.
“Në veçanti, disa prej grupeve farmaceutike kanë përjetuar më shumë vonesa në furnizim për shkak të dinamikave globale dhe rajonale që ndikojnë në zinxhirin e furnizimit” – tha ajo.
Komunat me shumicë serbe jashtë sistemit
Ndër vite, komunat e banuara me shumicë serbe kanë funksionuar me sisteme paralele si në shëndetësi edhe në fusha të tjera. Si rrjedhojë, shumica prej tyre nuk furnizohen nga Ministria e Shëndetësisë.
Kllokoti, Zveçani dhe Artana ishin të vetmet që kthyen përgjigje sa i përket kësaj teme. Përderisa nga Artana treguan se furnizohen nga Ministria e Shëndetësisë, në Zveçan dhe Kllokot gjendja është ndryshe.
Drejtori i QKMF-së në Artanë, Rahim Veliu tha se janë furnizuar me 40 për qind të barnave dhe 55 për qind të materialit shpenzues.
Kjo nuk ka ndodhur në Kllokot, komunë e cila s’është furnizuar fare me barna nga Ministria e Shëndetësisë, sipas drejtorit të Shëndetësisë, Lubomir Przhiq.
Prandaj, pacientët kryesisht janë të detyruar t’i blejnë ato vetë, e një pjesë e madhe e tyre marrin shërbime shëndetësore në Viti.
“Që nga dita e emërimit tim si drejtor i departamentit të shëndetësisë, më 01.07.2024, e deri më 30.09.2024, nga Ministria e Shëndetësisë së Kosovës nuk ka pasur furnizim me barna dhe materiale shpenzuese”– ka thënë Przhiq për KALLXO.com.
Edhe gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, ai tha se nuk ka pasur furnizim, duke u bazuar në atë që i ka treguar personeli mjekësor në Kllokot.
KALLXO.com ka dërguar pyetje shtesë se a kanë bërë kërkesë për t’u furnizuar nga Ministria, por deri në publikimin e këtij artikulli, Przhiq nuk ka ofruar përgjigje.
E njëjta situatë me mosfurnizim është edhe në Zveçan, ndonëse atje ka më shumë se një vit që komuna udhëhiqet nga kryetari shqiptar, Ilir Peci nga radhët e PDK-së.
Drejtori i Shëndetësisë, Liridon Peci tha më 27.09.2024 se furnizimi me barna nuk ka filluar ende, mirëpo janë në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë e Shëndetësisë.
Mirëpo, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha për KALLXO.com se nuk ka pasur edhe rast që të takohet me përfaqësues të Zveçanit.
“Akoma nuk kam pasur rastin që të takohemi me përfaqësues të Zveçanit, për arsye të ndryshme, por besoj që në një takim të radhës do t’i marr kërkesat edhe nga kjo komunë, që ato të buxhetohen” – tha Vitia më 03.10.2024.
Paraprakisht, Ministri tregoi se është takuar me përfaqësues të tri komunave të tjera veriore, Leposaviq, Zubin Potok e Mitrovicë e Veriut, me të cilët ka diskutuar lidhur me investimet e mundshme në shëndetësi.
“Kemi pasur takime edhe me komunat e tjera të pjesës veriore dhe kemi diskutuar cilat janë mundësitë e zhvillimit dhe të investimit në aspektin shëndetësor në këto komuna” – tha Vitia, i pyetur se çfarë po bëhet për të integruar pjesën veriore në sistemin shëndetësor të Kosovës.
Ai shtoi se Komuna e Leposaviqit veçse ka bërë një plan për atë që duhet bërë dhe po presin që ai plan t’u dërgohet në Ministri. “Ne do t’i investojmë të gjitha ato që i kërkojnë” – tha Vitia.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë më 09.10.2024, njoftoi se ka vizituar Leposaviqin bashkë me Ministrin Vitia dhe se po shqyrtojnë mundësinë e kthimit të një objekti në maternitet, që do të plotësonte nevojat e grave atje.
Më 01.08.2024, në Zubin Potok e Leposaviq u dorëzuan dy vetura për shërbime shëndetësore gjatë një vizite të Vitisë atje.
“Gjatë kësaj vizite, u diskutuan gjithashtu mundësitë për investime të tjera në këto komuna, me qëllim përmirësimin e mëtejshëm të shërbimeve shëndetësore dhe për të qenë më afër qytetarëve në tërë territorin e Republikës së Kosovës” – kishte njoftuar Ministria e Shëndetësisë.
Çmimet e barnave në tregun privat vazhdojnë të jenë të ndryshme nga barnatorja në barnatore, pasi që Ligji për Çmimin e Barnave i cili unifikon ato nuk ka filluar ende së zbatuari. Lista e Çmimeve të Barnave e publikuar për së dyti nga Ministria e Shëndetësisë është ende në fazë të ankimimit. Lista e parë ishte anuluar për shkak të ankesave.