Komunat nuk e dinë se kur do të furnizohen me produkte të listës esenciale, mungesat janë evidente tash e gjashtë muaj

Gjatë ditës së djeshme, Asociacioni i Komunave të Kosovës, ka njoftuar se kanë marrë njoftim nga Ministria e Shëndetësisë se komunat do të furnizohen me barna nga lista esenciale.

Sipas deklaratës së djeshme ministri i Shëndetësisë ka njoftuar se ky furnizim do të jetë deri në 90%.

“Komunat në shkallë 90% sipas kërkesave të tyre në ditët në vijim do të furnizohen me barna esenciale”, ka deklaruar Vitia.

KALLXO.com ka kontaktuar me disa nga drejtorët komunalë të shëndetësisë, të cilët kanë deklaruar se mungesa e produkteve esenciale ka qenë shumë e theksuar ditëve të fundit.

Ata për KALLXO.com kanë thënë se kjo mungesë ka bërë që komunat me buxhete vetanake të bëjnë zgjidhjen.

Afërdita Spahiu, drejtoreshë komunale e shëndetësisë në Gjakovë ka thënë se ende nuk kanë marrë ndonjë njoftim se kur do të furnizohen me barna nga lista esenciale.

Sipas saj, mungesat kanë qenë shumë të shprehura muajve të fundit, gjë që i ka shtyrë të bëjnë zgjidhje me buxhetin komunal.

“Nuk kemi marrë njoftim asgjë. Dje kam dëgjuar edhe unë. Ka disa muaj e pothuajse mbi gjashtë muaj që furnizimet kanë qenë shumë të mangëta. Kërkesat kanë qenë të mëdha sidomos për shkak se ka pasur viroza të stinës. Kërkesat kanë qenë për barkqitje e probleme me virozat që I kanë pasur qytetarët. Ka pasur mungesa të shiringave, infuzioneve e shumë mungesa esenciale. Ne si komunë jemi munduar që të bëjmë zgjidhje me buxhetin e drejtorisë për blerjen e këtyre produkteve”, ka deklaruar Spahiu për KALLXO.com.

Mungesën e produkteve esenciale e ka pasur edhe komuna e Pejës.

Petrit Loci, drejtor komunal i shëndetësisë në Pejë ka thënë për KALLXO.com se zgjidhjen e mungesës së këtyre produkteve e kanë bërë vet.

“Mungesat janë evidente, deri në 90% kemi pasur mungesa gjatë muajve të fundit. Janë mungesa kronike jo vetëm për barna. Ka mungesa bazike të shiringave, sistemeve të infuzioneve e infuzioneve. Planin e kemi bërë në fund të vitit. Ne si komunë kemi bërë një kontratë të veçantë në vlerë prej 60 mijë euro për furnizim me material shpenzues e ampulla e produkte të tjera që janë shumë të nevojshme”, ka thënë Loci.

Edhe komuna e Gjilanit ka mungesë të produkteve esenciale.

Drejtori i Shëndetësisë në këtë komunë, Selami Xhemaili, tha për KALLXO.com se pas deklaratës së djeshme të Asociacionit të Komunave, presin që të hënën të fillojë furnizimi.

“Nuk kemi datë konkrete, por shpresojmë që të hënën, jemi munduar vetë që të zgjidhim këtë problem. Nuk kam informacione të detajuara se cilat produkte kanë munguar. Me buxhet vetanak prej 20 mijë eurosh kemi blerë produkte të tilla”, tha Xhemaili.

KALLXO.com ka tentuar të marrë deklarata edhe nga komunat e tjera, por nuk kanë qenë të qasshëm.