Greva në shkolla, Foto: Gentiana Ahmeti, KALLXO.com, shtator 2022

Komunat me afat për Qeverinë, kërkohet ekzekutimi i pagave deri më 5 shtator

Komunat e Kosovës kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që deri më 5 shtator të bëjë ekzekutimin e pagave për shërbyesit civilë sepse në të kundërtën do t’i ndjekin rrugët ligjore.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, për KALLXO.com ka thënë se 5 shtatori është afati i fundit për ekzekutimin e pagave.

“Ne kemi thënë kontratat e punonjësve ku përgjegjës është komuna, me kontrata në çdo të 5-tin e muajit duhet maksimumi me dalë pagat edhe kemi thënë se nëse nuk ndërkohë kjo do të mblidhemi dhe do t’i shqyrtojmë rrugët ligjore” – tha ai.

Në mbledhjen e djeshme të Asociacionit të Komunave të Kosovës, nuk kanë marrë pjesë kryetarët e Podujevës, Kamenicës, Shtimes, Gjilanit, Mitrovicës dhe Vushtrrisë.

“Nuk kanë qenë kryetarët e LVV-së, arsyet nuk i dimë, kanë munguar dy kryetarë Bedri Hamza dhe Ferit Idrizi të cilët i kanë dhënë edhe arsyetimet” – tha Ibrahimi.

Ibrahimi tregoi se cilat kanë qenë shqetësimet e kryetarëve pjesëmarrës në mbledhjen e djeshme.

“Kryetarët kanë ngritur shqetësime, nuk është filluar viti shkollor ani pse janë bërë përgatitjet, shqetësim tjetër është që ministri në mënyrë parciale i jep pagat që nuk ka ndodhur kurrë, shqetësuese është se situata mund të acarohet nëse nuk fillon dialogu, shërbyesit civil që kanë punuar nuk kanë marrë pagat, stafi teknik, zjarrfikësit , mjekët primar, kanë punuar nuk kanë marrë paga” – theksoi ai.

Tutje Ibrahimi tha thënë se kërkesa e vetme e Asociacionit është dialogu sepse sipas tij pa dialog nuk ka zgjidhje.

Mbledhja e Asociacionit është zhvilluar dje për shkak që Ministria e Financave nuk ka bërë ekzekutimin e plotë të pagave për zyrtarët publikë dhe mësimdhënësit grevistë.

Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka treguar se është bërë ekzekutimi i pjesshëm i pagave të punonjësve publikë, por, sipas tij, jo të gjithë i kanë marrë rrogat.

Sipas ministrit kjo ka ndodhur për shkak të situatës së krijuar me grevat që kanë nisur më 25 gusht, pra për shkak të vonesave në procedimin e listave të atyre që kanë punuar dhe të atyre që nuk kanë punuar.

Greva e përgjithshme në sektorin publik ka nisur më 25 gusht dhe nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), kanë paralajmëruar se greva do të jetë më intensive nga sot.

Rritja e pagës prej 100 euro për të gjithë të punësuarit derisa të miratohet e zbatohet Ligji për Paga, Plotësim – ndryshimi i Ligjit për Skemat Pensionale të financuara nga shteti dhe zbatimi sa më parë i Ligjit të miratuar dhe të shpallur për Sigurimin Shëndetësor qysh në vitin 2014 janë tri kërkesat e sindikalistëve.