Prishtinë -Arkiv

Komunat kërkojnë ndryshimin e orës për lëvizje të vendosur nga Qeveria

Asosacioni i Komunave të Kosovës (AKK), ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të ndyshojë vendimin rreth ndalimit të qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve private.

Sipas një komunikate, Asosacioni i Komunave ka kërkuar që ndalim-qarkullimi për vetura dhe njerëz të bëhet nga ora 18:00 e pasdites deri në 06:00 të mëngjesit.

“AKK në konsultim me kryetarë të komunave vlerëson se jashtë këtij orari, sidomos prej orës 16.00-20.00 po ka turma të njerëzve që dalin për t’u furnizuar apo kryer obligime tjera dhe kjo po vlerësohet si mundësi potenciale për përhapjen e virusit”, thuhet në komunikatën e Asosacionit.

Tutje në komunikatë thuhet se duke e marrë parasyh se epidemiologët kosovarë po bëjnë thirrje që qytetarët e Kosovës të qëndrijnë në shtëpi, Asosacioni i Komunave kërkon që vendimi i Qeverisë të rishqyrtohet edhe një herë.

Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim se që nga data 24 mars, të ndalohet qarkullimi i veturave dhe njerëzve nga ora 10:00 e mëngjesit deri në 16:00 të pasdites dhe nga ora 20:00 e mbrëmjes deri në 06:00 të mëngjesit.