Komunat kërkojnë inspektime të përbashkëta për masat kundër COVID-19

Asociacioni i Komunave të Kosovës gjatë një takimi të mbajtur me Ministrin e Shëndetësisë,  Armend Zemaj dhe drejtorin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani ka kërkuar që të krijohen ekipe të përbashkëta për inspektim të respektimit të masave kundër COVID-19.

Në njoftimin e AKK thuhet se një ndër vështirësitë  e menaxhimit të pandemisë së coronavirusit është mos koordinimi i e Inspektorëve Sanitarë të AUV-it dhe atyre të Ministrisë së Tregtisë.

“Drejtorët e Inspektoriateve në këtë takim ngriten një numër të konsiderueshëm të vështirësive me të cilat janë ballafaquar gjatë kësaj periudhe, e të cilat në pjesën më të madhe kanë të bëjnë me vështirësi në koordinim me mekanizmat e tjerë siç janë: Inspektorët Sanitarë të Agjensionit të Veterinës dhe Ushqimit të Kosovës dhe Inspektorët (AVUK) e Ministrisë së Tregëtisë dhe Industrisë. Takimi nxori si konkludim se duhet të krijohen ekipe të përbashkëta nga Inspektorët e AVUK-ut, Inspektorët nga Ministria e Tregëtisë dhe Industrisë si dhe Inspektorët Komunalë dhe të të bëhen inspektime të përbashkëta në respektim të masave Anti-Covid19”, thuhet në Komunikatë.

Mes tjerash në këtë takim Ministri Zemaj i ka njoftuar komunat  për vendimet e reja të cilat pritet të merren gjatë kësaj jave.

“Ministri i Shëndetësisë z.Armend Zemaj, në këtë takim elaboroi disa nga vendimet të cilat pritet të merren nga Qeveria e Kosovës si dhe u njoh për së afërmi me problemet dhe vështirësitë të cilat janë ballafaquar Inspektorët  Komunalë në implementimin e deritashëm të masave Anti-Covid19. Po ashtu, mbetet të shikohet edhe mundësitë që të angazhohen Inspektorë shtesë për menaxhim sa më të mirë të situatës me Pandeminë Covid-19”, thuhet tutje.