Komunat i kërkojnë Qeverisë t'u barten të hyrat vetanake
Kryetarët e komunave të Kosovës kanë kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që urgjentisht të barten mjetet e të hyrave vetanake në komuna.
Kështu ka deklaruar sot kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, njëherit kryetari i Ferizajt, Agim Aliu në takim me kabinetin qeveritar.
“Kemi kërkuar që të hyrat vetanake të komunave t’u barten komunave në pajtim me vendimmarrjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës, pra ashtu që të gjitha fondet e pashpenzuara të komunave, të mbeten, të barten tek buxhetet përkatëse komunale e që kujtojmë se një gjë e tillë është plotësisht në harmoni ligjore e në kuadrin e gjerë të kompetencave menaxhuese të nivelit lokal”- ka thënë ai.
Po ashtu, kërkesë e Kryetarëve të Komunave të Kosovës është që komunave t’u kthehen pronat nga AKP-ja.
“Pas vendimit të qeverisë paraprake, në shumë nga këto prona, kanë filluar projekte të caktuara, por që janë pezulluar me vendime gjykate, për shkak të shfuqizimit të vendimit të lartcekur të Qeverisë, duke i kthyer sërish ato prona në menaxhimin e AKP-së, respektivisht Agjencisë së Pyjeve”- kanë thënë nga Asociacioni i Komunave.
Sipas Aliut, vazhdon të mbetet pothuajse e parealizueshme mundësia për themelimin e ndërmarrjeve publike lokale sipas ligjit për ndërmarrjet publike
Ai ka thënë se komunat kanë kërkuar gjithashtu koordinimin e përbashkët në plotësim-ndryshimin e projektligjit për prokurimin publik.
Komunat kanë renditur disa kërkesa drejtuar Qeverisë:
- Kundërshtimi për bartjen e përgjegjësisë së faljes së Tatimit në Pronë tek Komunat, sepse kjo cenon të hyrat vetanake nga të cilat varen në masë të madhe projektet kapitale në komuna.
- Urgjentisht të barten mjetet e të hyrave vetanake në komuna, për momentin të pezulluara.
- Të themelohet Granti i IV që do të krijoj barazi financiare për Komunat e Kosovës.
- Kërkojmë përshpejtimin e nxjerrjes së akteve nënligjore (në bazë të Ligjit të ri për Zyrtarët Publik) që rregullojnë procedurat e rekrutimit në komuna, me theks lejimin e listës pritëse në arsim dhe shëndetësisë.
- Komunave t’u kthehen pronat nga AKP-ja, prona këto që janë përcaktuar dhe të shpallura nga komunat per interes publik e për të cilat komunat i kanë nisur procedurat e projekteve dhe kanë njoftuar me shkrim nivelin qendror.
- Të krijohen mekanizma ligjor për bartjen e pronave të menaxhuara nga Agjencia e Pyjeve për zhvillim të projekteve si dhe në raste të tjera të ketë shmangie të procedurave burokratike për dhënien e lejeve për zhvillim të projekteve komunale.
- Të mos lejohet që Zonat Ekonomike në komuna të kalojnë në përgjegjësi të nivelit qendror por të vazhdojnë të administrohen nga Komunat.