Komunat e Kosovës angazhojnë staf shëndetësor shtesë për luftën kundër COVID-19

Komunat e Kosovës kanë angazhuar staf shëndetësor shtesë për të ndihmuar qytetarëte tyre në senzibilizim, parandalim dhe përcjellje të gjendjes së të infektuarve me Covid-19.

Në komunikatën e Asociacionit të Komunave thuhet që shumica e komunave kanë të ngritura tenda për pranim të qytetarëve në të cilat kanë angazhuar stafin e QKMF-ve dhe ekipet në terren.

Sipas komunikatës, komunat janë duke dhënë kontributin e tyre në pikat kufitare, ku nga stafi i kujdesit parësor shëndetësor në komuna kanë ekipet e tyre të angazhuara në pikat kufitare të Kosovës varësisht nga pozita gjeografike dhe rajoni në të cilin gjenden. Në këto ekipe sipas Drejtorëve Komunalë janë të përfshirë si staf mbështetës edhe epidemiologu apo infektologu.

Sipas Kryesuesit të Kolegjiumit të Drejtorëve të Shëndetësisë pranë AKK-së, Dr.Bujar Gashi, komunat janë duke dhënë në maksimum kontributin e tyre për të tejkaluar këtë gjendje përkundër vështirësive që mund të kenë ato.