Komunat e Dukagjinit memorandum me KPK-në për ruajtjen e Rrëqebullit Ballkanik

Organizata ERA ka nënshkruar Memorandum mirëkuptimi me Komunen e Pejës, Istogut, Deçanit, Junikut dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës me qëllim të bashkëpunimit midis palëve për ruajtjen e Rrëqebullit Ballkanik dhe habitatit të tij.

Sipas një njoftimi për media, në bazë të kësaj, Këshilli Prokurorial i Kosovës cakton një prokuror koordinator për rastet e mbrojtjes së mjedisit dhe natyrës në Prokurorinë Themelore në Pejë.

Tutje është thënë se ky bashkëpunim ka për qëllim mbrojtjen dhe ruajtjen e resurseve natyrore, duke siguruar një angazhim afatgjatë për arritjen e objektivave të përbashkëta, në veçanti të ruajtjes së Rrëqebullit të Ballkanit, habitateve të tij dhe specieve të gjahut në Kosovë.

“Vlerë e shtuar e këtij bashkëpunimi është marrja e obligimit nga ana e Këshillit Prokurorial të Kosovës për caktimin e një prokurori koordinator për rastet e mbrojtjes së ambientit dhe mjedisit natyror për Prokurorinë Themelore në Pejë”, thuhet më tej.

Sipas ERA-s, ky Memorandum do të mundësojë kombinim e burimeve njerëzore në monitorimin e jetës së egër, rritjen e ndërgjegjesimit, organizimin e aktiviteteve të përbashkëta për mbrojtjen e mjedisit. Kurse, Këshilli Prokurorial u zotoua që lëndët e krimeve mjedisore të trajtohen me prioritet nga ana e prokurorëve konform detyrave dhe përgjegjësive të tyre.

Ky aktivitet u mundësua me përkrahje nga EuroNatur në kuadër të Programit për Rimëkëmbjen e Rrëqebullit të Ballkanit.