Takimi i Qeverisë me kryetarët e Komunave të Kosovës Foto: AKK

Komunat dhe Qeveria diskutojnë për rishikimin e Buxhetit

Kryetarët e komunave të Kosovës janë takuar sot me Qeverinë dhe kanë diskutuar në lidhje me rishikimin e buxhetit të vitit 2020 dhe situatën ekonomike buxhetore që ka ardhur si pasojë e pandemisë COVID-19.

Në këtë takim, Qeverinë e ka përfaqësuar zëvendëskryeministri i parë, Besnik Tahiri dhe ministrja e Financave, Hykmete Bajrami.

Kjo e fundit ka njoftuar kryetarët e komunave se deri më tani nga pakoja emergjente janë shpenzuar 60 milionë euro.

Ministrja Hykmete Bajrami ka deklaruar se gjatë rishikimit të buxhetit nuk do të ketë shkurtime buxhetore për komunat.

“Andaj në këtë rishikim duam ti njoftojmë komunat se nuk do të ketë shkurtime buxhetore për komunat e as për investimet kapitale. Mirëpo në këtë proces duhet të mirëkuptojmë njëri tjetrin si organizata buxhetore në mënyrë që të zvogëlojmë pasojat ekonomike të kësaj pandemie”, është shprehur ministrja Bajrami, thuhet në komunikatën e Asociacionit të Komunave të Kosovës.

“Kryetarët përshëndetën Pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike dhe shprehën gatishmërinë të punojnë ngushtë me Qeverinë për plotësimin e saj në mënyrë që kjo pako të ndikoj në zbutjen e çështjeve ekonomike e financiare në vendin tonë”, thuhet tutje në komunikatë.