QMF 'Dardani'

Komuna tregon pse nuk po bëhen testime serologjike në Prishtinë

Ka disa ditë që në Komunën e Prishtinës nuk janë kryer teste serologjike (me gjak) nëpër qendrat mjekësore familjare.

Bujar Gashi, drejtor i Shëndetësisë në Prishtinë, për KALLXO.com ka thënë se ky stagnim ka ndodhur pasi deri sot kanë qenë duke bërë kalibrim të aparaturave.

Sipas tij, nga e hëna fillon listimi në qendrën mjekësore në ‘Kodrën e Trimave’.

“Deri sot kemi qenë në kalibrim të aparaturave dhe nga e hëna fillon listimi në QMF 3 në ‘Kodrën e Trimave,” ka thënë Gashi.

Tutje, Gashi shtoi se kohëve të fundit ka rënë kërkesa për kryerje të testimeve rapide ( të shpejta) për identifikim të COVID-19

“Ashtu si në Institutin e Shëndetit Publik, edhe në qendrën e mjekësisë në lagjen ‘Kalabria’ ku kryhen teste të shpejta  ka rënë interesimi për t’u testuar,” ka shtuar tutje Gashi.

Testet serologjike kanë filluar në korrik të vitit 2020 për çështje hulumtimi, dhe janë realizuar me mijëra testime për qytetarët që kanë shkuar me udhëzime.

Testi serologjik preferohet të bëhet pasi të keni kaluar virusin, ose nëse dyshoni që keni qenë të prekur.

Me anë të këtij testi mund të bëhet identifikimi i antitrupave të fituar ndaj COVID-19