Foto: Kallxo.com

Komuna rrënon një kat pa leje të objektit në Prishtinë (FOTO)

Inspeksioni i komunës së Prishtinës e ka nisur ditën me një operacion të rrënimit të një pjese të një objekti në qendër të qytetit.

Zyrtarë të komunës thanë se ky objekt ka hedhur një kat më shumë se që i është lejuar.

Objekti gjendet në rrugën “Fehmi Agani”, afër Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare.

“Pjesa më e madhe e këtij objekti është e ndërtuar me leje mirëpo ka filluar ta ngrisë edhe një kat pa leje. Pavarësisht se Inspeksioni ka qenë disa herë në vendin e ngjarjes dhe ka vendosur shirita dhe ka marrë të gjitha masat ligjore, pala nuk i ka përfillur ato dhe ka filluar prapë me ndërtim”, tha Adonis Tahiri, drejtor i Inspeksionit Komunal.

“Më 6 janar është marrë vendimi për rrënim dhe i janë dhënë palës afat 15 ditë që ta ekzekutojë vetë rrënimin. Në rast se pala vazhdon ndërtimin inspeksioni duhet të  veprojë menjëherë brenda atij afati”, shtoi ai.

Përkundër paralajmërimeve, Tahiri tha se ndërtimi ka vazhduar.

“Pala ka vazhduar dje, këtë fundjavë ka vendosur edhe pllakën kësisoj me ndihmën e Policisë po e ekzekutojmë vendimin për rrënim, ta heqim pllakën dhe muret anësore të katit të ri”, tha Tahiri.

Foto: Kallxo.com