Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Komuna Prizrenit ndau 30 mijë euro, për vizitë studimore në Dubrovnik të Kroacisë

Për realizimin e një vizite studimore të 45 asambleistëve apo këshilltarëve komunal për në qytetin e Dubrovnikut në Republikën e Kroacisë, Komuna e Prizrenit ka ndarë 30 mijë euro për procedurën tenderuese për këtë qëllim.

Sipas njoftimit, vlera e parashikuar për këtë kontratë, është 30,000 euro me kohëzgjatje të kontratës 30 ditë.

Në këtë aktivitet të prokurimit, komuna përdori procedurën e hapur të prokurimit, me kriter për dhënie të kontratës, çmimi më i ulët. Dhe data 12 tetor 2022 është caktuar nga komuna afati deri kur mund të ofertojnë, kompanitë e interesuara.

Në bazë të shumës së ndarë për këtë vizitë studimore dhe numrin e personave, rezulton se komuna është e gatshme të paguaj deri 666.66 euro për person.

Sipas paramasës, nëpërmjet këtij tenderi kërkohet të realizohet: transporti i delegatëve nga Prizreni për në Republikën Kroacisë, qytetin e Dubrovnikut dhe anasjelltas, vendosjen e pjesëmarrësve në hotel adekuat në Dubrovnik për 45 persona (min 4 os 5 yje), transportin 2 drejtimësh (me autobus), shpenzimet për viza (pa shkuar në ambasadë në mënyrë individuale) për 45 persona, sigurimi shëndetësor kolektiv apo individual për pjesëmarrësit, 4 bujtje në hotel – në dhoma për nga 2 persona, me mëngjes-darkë, kurse dreka jashtë hotelit e sipas marrëveshjes së fituesit të tenderit dhe pjesëmarrësve, transportin për në komunën e Dubrovnikut, vizitën e institucioneve shtetërore dhe të monumenteve kulturo-historike të qytetit të Dubrovnikut dhe Splitit për të cilat shprehet interes i vizitorëve në bashkëpunim me fituesin e  tenderit.

Tutje në paramasë thuhet se pagesa operatorit ekonomik do t`i bëhet pas kthimit nga vizita.

Në dokumentin e njëjtë të tenderit thuhet se kjo vizitë është paraprarë me vendim të kuvendit e të kryetarit.

“Vizita studimore e delegatëve dhe e stafit të Kuvendit Komunal të Prizrenit është e paraparë me vendim të Kuvendit Komunal dhe është lejuar me vendim të Kryetarit të Komunës Prizrenit”- thuhet në dokument.