Komuna Podujevës i bleu 11 euro më shtrenjtë uniformat se Komuna e Deçanit, arsyetohet Rudari

Komuna e Podujevës më 13 mars 2020, ka nënshkruar një kontratë për “Furnizim emergjent me mjete dhe pajisje mbrojtëse për nevoja të shërbimit të Epidemiologjisë – QKMF Podujevë”.

Komuna në krye me Nexhmi Rudarin doli se pagoi për një uniformë njëpërdorimëshe 15 euro ndërsa Deçani 4 euro. Vlera e përgjithshme e kontratës ishte 18 mijë euro ndërsa tenderimi ishte bërë me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë.

Por, dallimin në 11 euro më shtrenjtë se Komuna e Deçanit e ka arsyetuar kandidati i LDK-së për të parin e Podujevës.

“Unë them që në kohë të pandemisë, të gjitha pajisjet që i ka blerë Kosova kanë qenë shumë më shtrenjtë se tash. Ajo ka qenë me procedurë të hapur edhe çmimet e tregut”, deklaroi Rudari në emisionin “Jeta në Komunë”.

KALLXO.com raportoi se në këtë kontratë, ishin 4 artikuj që do të furnizohej Komuna e Podujevës.

 

Një unifromë njëpërdorimshe Komunës së Podujevës i ka kushtuar 15 euro, ku ka porositur 300 të tilla në vlerë totale prej 4 mijë e 500 eurove. Në anën tjetër, Komunës së Deçanit një veshje një përdorimshe i ka kushtuar 4 euro.

Po ashtu, janë porositur 1 mijë maska kirugjike trepalëshe, ku një copë ka kushtuar 9 euro, ndërsa vlera totale e tyre është 9 mijë euro.

Gjithashtu janë porositur 300 copa syze mbrojtëse, ku një ka kushtuar 14 euro, kurse vlera totale e tyre është 4 mijë e 200 euro. Ndërsa po ashtu janë porositur edhe 5 mijë doreza josterile, ku një ka kushtuar 6 cent dhe vlera totale e tyre është 300 euro.