Komuna paralajmëron masa ndaj drejtorit të shkollës që bleu pajisje në biznesin e vet

Dje gjatë ditës, KALLXO.com raportoi për drejtorin e Shkollës së Mesme e Lartë e Mjekësisë “Dr. Xheladin Deda” në Mitrovicë, Gani Rama, se si i shfrytëzoi paratë publike për të blerë pajisje për shkollën në biznesin e tij.

Pas raportimit, ka ardhur edhe reagimi nga Drejtoria e Arsimit në Komunën e Mitrovicës.

Në një bisedë për KALLXO.com, Drejtori i Arsimit në Komunën që e udhëheq Agim Bahtiri, Egzon Jashari, tha se kanë filluar të hetojnë rastin.

Sipas tij, në këtë rast do të merren masat që parashihen me ligjet në fuqi.

“Rastin konkret jemi tu e analizu, jemi duke i mbledh faktet sa i përket konstatimeve. Po besoj që me kohë do të informohen edhe publiku për hapat e mëtutjeshme. Pra, jemi në fazën e grumbullimit të informacioneve”, deklaroi Jashari për KALLXO.com.

“Ligjet dhe Udhëzimet Administrative që na përcaktojnë veprimet që duhet me u ndërmarrë, në këtë fazë ende nuk i kemi përfunduar të gjitha informacionet që e determinojnë ose e përcaktojnë vendimin, por janë ligjet të cilat e përcaktojnë se si të veprohet në raste të tilla”, tha tutje ai.

Drejtori i Arsimit tha se në rast se vërtetohet se drejtori i shkollës së mjekësisë ka blerë pajisje në biznesin e tij, do të merrën masa, por pa dhënë detaje se cfarë masa konkrete.

“Ne do t’i ndërmarrim masat në momentin që konstatohet gjendja. Jemi duke i bërë hulumtimet, jemi duke i grumbulluar informacionet e pretendimet, në rast se dalin të sakta, do të marrim masa”, deklaroi Jashari.

Drejtori i Shkollës së Mesme të Lartë të Mjekësisë “Dr. Xheladin Deda” në Mitrovicë, Gani Rama, ka blerë pajisje për nevojat e shkollës në biznesin e tij familjar, barnatoren “Gentiana- Lutea” po në qytetin e Mitrovicës.

KALLXO.com dje ka provuar të marrë një përgjigje nga vetë drejtori i shkollës, Gani Rama, por ai nuk ka dashur të prononcohet.

Rama fillimisht nuk e ka pranuar se ai ka blerë mjete për shkollë në biznesin e tij familjar.

“Kjo, jo që është rrenë, por kjo është poshtërsi”, ka thënë Rama.

Por, pasi i janë prezantuar faturat dhe kontrata e blerjes, ai e ka pranuar se ka blerë mjete për shkollë në biznesin e tij familjar.

“E çka ka të bëj kjo? Biznesin e ka djali, kurrfarë konflikt i interesit nuk ka, absolutisht. Biznesi është i imi”, deklaron ai.

“Pse mos me i ble, a me mshel biznesin për shkak të juaj a? Çka është kjo?”, tha tutje drejtori i shkollës së Mjekësisë, Gani Rama.

Pasi ai nuk pranoi të japë deklarim dhe sqarime mbi pyetjet që ekipi i KALLXO.com i bënte, Rama ka dërguar edhe një punonjës të shkollës jashtë rrethojave që të pengojë xhirimet.

“Mos xhironi se ua thirri Policinë, tha drejtori”, deklaroi punonjësi i shkollës jashtë rrethojave.

KALLXO.com posedon kontratën dhe faturën e blerjes nga shkolla të tri pajisjeve në vlerë prej 95 euro. Pajisjet të cilat i ka blerë janë “Aparat Tensioni Microlife”, 4 copë, “eBsensor Glukometer- Aparat”, 4 copë dhe “Ebsugar traka- test strips 50 pcs”, 2 copë.

Vlera e përgjithshme e këtyre mjeteve sipas faturës është 95 euro.

Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), biznesi me emrin “Gentiana- Lutea” është në emrin e Gani Ramës, si pronar.

Gani Rama ishte edhe kandidat për asamblist në zgjedhjet lokale të 2017 në qytetin e Mitrovicës në partinë Aleanca Kosova e Re, parti kjo nga e cila ishte edhe kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri.