Foto: KALLXO.com

Komuna pa përfaqësues, dështon të fillojë rigjykimi ndaj ish-drejtorit komunal Ilir Baldedaj

Në Gjykatën e Prizrenit sot ishte paraparë të mbahej rigjykimi ndaj Ilir Baldedajt, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Mirëpo, në mungesë të përfaqësuesit të Komunës së Prizrenit ka dështuar që të mbahet seanca e sotme.

Kryetari i trupi gjykues, Xheladin Osmani, bëri të ditur se nga ana e Komunës është njoftuar se ende nuk është zgjedhur përfaqësuesi i saj, prandaj Komuna ka kërkuar shtyrjen e seancave gjyqësore për 15 ditë.

Në mungesë të kushteve ligjore, gjykimi i sotëm nuk i mbajt, i njëjti u shty për vitin 2022.

Ndaj Baldedajt, pas një hulumtimi të KALLXO.com, Prokuroria e Prizrenit kishte ngritur  aktakuzë për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ish-asamblistët e Prizrenit nuk i kanë kthyer laptopët

Në këtë proces, Baldedaj akuzohet se ka bërë shpërndarjen e laptopëve dhe çantave për asamblistët e Kuvendit Komunal të Prizrenit, në sasi prej 40 copë nga sasia totale prej 43 sosh.

Tutje, sipas aktakuzës në vërtetimin mbi pranimin e laptopëve të nënshkruar nga asamblistët me rastin e pranimit të pasurisë së tillë, nuk figuronte kushti që kjo pasuri shtetërore të kthehet pas përfundimit të mandatit publik.

Sipas Prokurorisë, për tre laptopë të tjerë nuk pati prova se ata u janë shpërndarë personave për të cilët kanë qenë të destinuar, me ç’rast thuhet se me këto veprime i akuzuari buxhetit të shtetit i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 19 mijë e 350 euro.

Për këto akuza, ish-drejtori komunal Ilir Baldedaj, më 15 janar të këtij viti ishte dënuar me burgim efektiv prej 10 muajsh.

Ish-drejtori komunal në Prizren liron pozitat në AAK, pasi u dënua me burg pas hulumtimit të KALLXO.com

Mirëpo, Apeli më 1 maj 2021 ka anuluar aktgjykimin e shkallës së parë dhe të njëjtin e ka kthyer në rigjykim.

Shkalla e dytë ka konsideruar se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë në shkelje esenciale të cilat kanë ndikuar në vërtetimin e plotë të gjendjes faktike.

Në vendimin e Apelit thuhet se aktgjykimi i Gjykatës së Prizrenit ishte i paqartë ashtu që dispozitivi i tij është në kundërshtim me arsyetimin dhe se Gjykata nuk kishte vlerësuar saktësinë e provave kundërthënëse duke mos dhënë arsyet e mosmiratimit të propozimeve konkrete të palëve ashtu që arsyetimi ishte i pamjaftueshëm.

Tutje sipas Apelit, në aktgjykimin e shkallës së parë, Gjykata kishte listuar provat materiale dhe personale duke u mjaftuar me një arsyetim të mangët pa dhënë arsyet se secila provë e administruar se çka provon si e vetme dhe pastaj të gjitha këto prova çfarë gjendje faktike të tërësishme japin.

Gjykata e Apelit kthen në rigjykim rastin e Ilir Baldedajt për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Raportimet e KALLXO.com lidhur me rastin në fjalë mund t’i lexoni duke klikuar në këtë  LINK.