Gjykata në Prizren

Komuna nuk caktoi përfaqësuesin ligjor, Prokuroria mund të ndjekë penalisht Mytaher Haskukën

Gjykimi ndaj Bujar Nerjovaj, ish-drejtorit të Inspektorateve në Prizren i cili po akuzohet për keqpërdorim të detyrës, ka dështuar që të mbahet për të gjashtën herë radhazi.

Shkak për dështimin e seancës së sotme, ishte mungesa e përfaqësuesit ligjor të Komunës.

Nerjovaj, po përballet me akuza për keqpërdorim të pozitës për kohën sa ishte drejtor i Inspektoratit në Prizren. Objekt i aktakuzës së Prokurorisë janë katër objekte hoteliere që gjenden të gjitha në zonën historike të Prizrenit, saktësisht në Shatërvan të Prizrenit.

Për mungesën e përfaqësuesit ligjor të Komunës, kryetari i trupi gjykues, Xheladin Osmani bëri të ditur se me 29 janar 2021 i ishte drejtuar kryetarit të Komunës për caktimin e zyrtarit ligjor që rregullon përgjegjësinë dhe autorizimet e drejtorit të Inspektoratit dhe kishte kërkuar caktimin e zyrtarit komunal nga drejtoria që është kompetente, por një gjë e tillë nuk kishte ndodhur.

Në përgjigjën e dhënë të datës 5 shkurt 2021, kryetari Mytaher Haskuka bëri të ditur se nuk i kishte këto kompetenca.

“Unë si kryetar i Komunës së Prizrenit, nuk mund të caktojë zyrtar ligjor i cili rregullon kompetencat dhe përgjegjësitë e drejtorit të drejtorisë së Inspektoratit. Përgjegjësitë dhe kompetencat e tyre rregullohen me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe Statutin e Komunës. Sa i përket kërkesës së dytë, ne si institucion administrativ, operojmë me rregullore për taksa dhe tarifa, ku secila Drejtori i ka zyrtarët përgjegjës për inkasimin e tyre”, kishte dhënë përgjigje Mytaher Haskuka.

Lidhur me këtë fakt, për dështimin e seancës së sotme, përfaqësuesi i Prokurorisë, Metush Biraj deklaroi se kjo seancë duhet të shtyhet dhe e vuri në pikëpyetje nëse rigjykimi ndaj Nerjovajt mund të vazhdojë pa përfaqësuesin e Komunës apo duhet të shqyrtohet mundësia e ndjekjes penale ndaj kryetarit të Komunës, Mytaher Haskuka.

Në mungesë të kushteve ligjore, shqyrtimi i sotëm u ndërpre dhe i njëjti u caktua për datën 11 tetor 2021.

Në vitin 2019, Bujar Nerjovaj ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me 6 muaj burgim, mirëpo me ankesën e avokatit të të akuzuarit, Apeli kishte kthyer në rigjykim lëndën.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Bujar Nerjovaj si person zyrtar me mosveprim duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, nuk e ka përmbushur detyrën zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër apo që t’i shkaktoj dëm personit tjetër.

Sipas akuzës në cilësinë e ish – drejtorit të Drejtorisë Komunale të Inspektorateve në Prizren, i akuzuari Bujar Neerjovaj nuk i ka siguruar kushtet për t’i ekzekutuar konkluzionet e lëshuara nga inspektorët e ndërtimtarisë, për rrënimin e detyrueshëm të mbindërtimeve dhe ndërtimeve të 4 objekteve hoteliere në afërsi të sheshit “Shatërvan” në Prizren, të ndërtuar pa leje apo në kundërshtim me lejet e dhëna, të gjitha këto të ndërtuara në Zonën e Parë të Qendrës Historike në Prizren, me ç‘rast është dëmtuar trashëgimia kulturore e arkitektonike e Qendrës Historike të Prizrenit si dhe për shkak të mospagesës së detyrimeve, është dëmtuar buxheti i Komunës së Prizrenit për 36,143.00 euro.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me rastin ku i akuzuar është Bujar Nerjovaj mund t`i lexoni duke klikuar në –LINK