Foto: ZKA

Komuna Mitrovicës Veriore pa auditor të brendshëm

Komuna Mitrovicës së Veriut nuk ka auditor të brendshëm, edhe pse plotësimi i kësaj pozite ishte paraparë në planin për vitin 2021, mirëpo shpallje të konkursit nuk pati. Auditori kishte rekomanduar edhe më parë për këtë çështje.

“Në vitin 2021, Komuna nuk ka shpallur konkurs për auditor të brendshëm, punësimi i të cilit përfshihet në Planin e Personelit për vitin 2021”, thuhet ne gjetjen e raporti të auditorit.

Sipas deklaratës së menaxherit të burimeve njerëzore, përcjell raporti, pavarësisht tentativës së komunës për shpalljen e konkursit, për shkak të pengesave teknike dhe ndryshimeve në rregulloret ligjore, konkursi nuk është shpallur.

Pa auditor të brendshëm mund të përsëriten gabime në kontrollet e brendshme, menaxhmenti nuk mund t’i identifikoj dobësitë në kontrolle që të reagoj me kohë.

Të parit të komunës ju rekomandua të themeloj këtë njësi të brendshme audituese gjithashtu edhe themelimin dhe funksionimin e komitetit të auditimit.

“Kryetari duhet të themelojë NjAB, me qëllim që të ofrojë mbështetje për menaxhimin e fushave me rrezik dhe për të ndihmuar në aktivitetet operative vijuese. Përveç kësaj, ne gjithashtu propozojmë themelimin/funksionimin e Komitetit të Auditimit i cili do t`i shqyrtonte rezultatet e auditimit të brendshëm si dhe aktivitetet e ndërmarra nga menaxhmenti në lidhje me rekomandimet e dhëna”, rekomandon raporti.

Auditori në raport përmend se janë përsëritur rekomandimet për themelimin dhe funksionimin e kësaj njësie audituese të brendshme,  mirëpo  komuna ende nuk i ka siguruar shërbime të auditimit të brendshëm dhe të njëjtat nuk janë mbuluar nga ndonjë organizatë tjetër.

Neni 19 i Ligjit Nr. 06 / L-021 për Kontrollin e brendshëm të financave publike, përcakton themelimin e funksionit të auditimit të brendshëm.

Nga komuna janë pajtuar me gjetjen e raportit.

Për më tepër, nëpërmjet letrës së konfirmimit, të datës 4 maj 2022 nga kreu i komunës së Mitrovicës e Veriut, Milan Radojeviç konfirmohet se e ka pranuar raportin dhe është pajtuar me të gjeturat e raportit pa ndonjë koment për përmbajtjen e raportit të auditimit për “Pasqyrat Financiare të Komunës Mitrovicë e Veriut për vitin e përfunduar me 31 dhjetor 2021”.