Foto: ZKA

Komuna Mitrovicës së Veriut pa plan vjetor për subvencionimin e OJQ-ve

Auditori i përgjithshëm gjeti se Komuna Mitrovicës së Veriut nuk kishte hartuar plan për subvencionimin e Organizatave Jo Qeveritare, përkundër se një plan i tillë kërkohet me rregullore.

“Komuna ka dështuar të përgatisë me kohë dhe të dërgojë planin në zyrën përkatëse për qeverisje të mirë në ZK dhe të njëjtin plan ta publikojë në uebfaqen e Komunës”, thuhet ne gjetjen e raporti të auditorit.

Sipas raportit, arsyeja për këtë ishte mungesa e kontrolleve efektive në plotësimin e kërkesave për përgatitjen e planit vjetor të subvencionimit dhe plotësimit të kërkesave për raportim mbi planin në ZK [Zyrën e Kryeministrit].

Mungesa e planit ndikon në mos informimin me kohë të palëve të interesuar dhe synimet për financimin e projekteve, prandaj kreut të komunës ju rekomandua që plani të bëhet me kohë.

“Kryetari duhet të sigurojë që kërkesat ligjore për përgatitjen e planit vjetor të mbështetjes financiare të OJQ-ve janë përmbushur dhe se plani i raportohet ZK-së brenda afatit të caktuar”, rekomandon raporti.

Auditori i referohet nenit 6 të rregullores. MF nr. 04/2017 ku thuhet se ofruesit e mbështetjes financiare përgatisin një plan vjetor të mbështetjes financiare për OJQ-të jo më vonë se 30 ditë pas miratimit të buxhetit vjetor të Republikës së Kosovës dhe e paraqesin atë në Zyrën për Qeverisje të Mirë brenda Zyrës së Kryeministrit (ZK) dhe neni 26 – secili ofrues i mbështetjes financiare pas përgatitjes së raportit vjetor, do ta paraqesë atë jo më vonë se 1 mars.

Nga komuna janë pajtuar me gjetjen e raportit.

Për më tepër, nëpërmjet letrës së konfirmimit, të datës 4 maj 2022 nga kreu i komunës së Mitrovicës e Veriut, Milan Radojeviç konfirmohet se e ka pranuar raportin dhe është pajtuar me të gjeturat e raportit pa ndonjë koment për përmbajtjen e raportit të auditimit për “Pasqyrat Financiare të Komunës Mitrovicë e Veriut për vitin e përfunduar me 31 dhjetor 2021”.