Objekti i Komunës së Zubin Potokut (25.05.2023)

Komuna e Zubin Potokut do të furnizohet me 200 flamuj të Kosovës e kombëtar

Komuna e Zubin Potokut do të furnizohet me 100 flamuj të Kosovës dhe 100 flamuj kombëtar. Kontrata është nënshkruar me kompaninë “BMS SOLUTIONS L.L.C.” në vlerë 990 euro.

Sipas kërkesës së komunës, ata pritet të furnizohen me 100 flamuj të Kosovës me madhësi 90×150 me mbajtëse druri, me 100 flamuj kombëtar me madhësi 90×150 me mbajtëse druri, dy mbajtëse të metalit kualitet për flamuj për protokoll dhe dy flamuj për mbajtëse të metalit.

Tenderi është shpallur përmes procedurës me vlerë minimale ndërsa kriteri i dhënies së tenderit ka qenë çmimi më i ulët.

Bazuar në të dhënat e njoftimit për nënshkrim të kontratës, në këtë tender ka ofertuar vetëm një kompani, e cila edhe e ka fituar këtë tender.

Komuna e Zubin Potokut që nga fundi i muajit maj udhëhiqet nga Izmir Zeqiri nga Partia Demokratike të Kosovës, i cili fitoi zgjedhjet e muajit prill të vitit 2023 që u mbajtën në katër komunat me shumicë serbe në veri.

Këto zgjedhje sollën tensione në tri komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, në Zubin Potok, Zveçan dhe në Leposaviq. Qytetarët kundërshtuan futjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale.

Zeqiri dhe bashkëpartiaku i tij, kryetari i Zveçanit, Ilir Peci, vendosën që punët që iu takojnë si kryetarë komunash t’i kryejnë në objekte alternative.

Ndërsa, kryetari i Leposaviqit, Lulëzim Hetemi nga partia Lëvizja Vetëvendosje, u vendos në objektin e Komunës nga ku nuk ka dalë që nga muaji maj.