Pamje nga Vushtrria

Komuna e Vushtrrisë pagoi mbi 64 mijë euro nga vendimet gjyqësore në vitin 2019

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur që Komuna e Vushtrrisë në vitin 2019 ka paguar 64,236 euro pas vendimeve gjyqësore.

Në raportin e vitit 2019 thuhet se Thesari kishte ekzekutuar në bazë të vendimeve gjyqësore pagesa që kishin të bëjnë me detyrimet e dala nga marrëveshja kolektive për kompensimin e tri pagave jubilare dhe tri pagave përcjellëse me rastin e pensionimit të punonjësve në vlerë 56,240 euro dhe 7,996 euro të tjera për mallra/shërbime dhe komunali.

“Kjo formë e pagesave, përveç ndikimit në keqklasifikimin e shpenzimeve, ka ndikuar edhe në rritjen e shpenzimeve, ngase borxhi kryesor ndaj pretenduesve ishte 51,353 euro ndërsa shpenzimet procedurale të gjykatës/përmbarimit ishin 12,883 euro. Arsyet e ekzekutimit të pagesave të tilla vijnë si rezultat i planifikimit të dobët dhe mungesës së buxhetit nga Drejtoria e Arsimit për këto raste”, thuhet në raportin e auditimit.

Ligji për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësive ka përcaktuar se çdo faturë e vlefshme dhe kërkesë për pagim të mallrave dhe shërbimeve të furnizuara ose punëve të realizuara duhet të paguhet brenda 30 ditëve kalendarike pas pranimit të faturës ose kërkesës së vlefshme për pagesë.

Po ashtu, Ligji për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019 dhe plani kontabël definojnë qartë se shpenzimet duhet të ndodhin nga kategoritë adekuate ekonomike.

Sipas Auditorit, situata e krijuar që pagesat të ekzekutohen direkt nga ana e Thesarit përmes procedurave të përmbarimit ka ndikuar në rritjen e kostos për Komunën dhe në keqklasifikimin e shpenzimeve.

“Kryetari duhet të thelloj bashkëpunimin me MF, për të siguruar që mjetet për kryerjen e obligimeve që dalin nga marrëveshja kolektive të buxhetohen dhe të paguhen me kohë dhe nga kategoria e pagave dhe mëditjeve, për të shmangur keqklasifikimin dhe shpenzimet e panevojshme”, thuhet në rekomandimin e Auditorit për Xhafer Tahirin, kryetarin e Vushtrrisë.