Komuna e Vushtrrisë oborret e institucioneve i shndërron në parkingje për mërgimtarët

Komuna e Vushtrrisë ka njoftuar se oborri i Shtëpisë së Kulturës dhe parkingu i Muzeut të Qytetit nga data 1 qershor e deri më 1 shtator do të jenë në dispozicion të mërgimtarëve.

“Sot Bordi i Drejtorëve të Komunës ka vendosur që nga 1 Qershori deri më 1 shtator 2021, oborri i Shtëpisë së Kulturës dhe parkingu i tek Muzeu i Qytetit do të jetë në dispozicion të diasporës vushtrriase”, thuhet në njoftim.

Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka thënë se për nder të diasporës do të përgatitet edhe festivali “Ditët e Diasporës”.

“Ka dy vite që na mungon ardhja e diasporës në Vushtrri, prandaj me lehtësimin e masave anti Covid, DKRS ka përgatitur edhe festivalin “Ditët e Diasporës” ku do të ketë program të pasur kulturor për të gjithë bashkëatdhetarët tanë”, ka thënë Tahiri përmes një postimi në Facebook.