Foto: KALLXO.com
Komuna e Vushtrrisë ndan 48 mijë euro grant për klube sportive, pakënaqësi për mënyrën e ndarjes
Komuna e Vushtrrisë ka ndarë grante në shumën 48,500 euro për klube dhe shoqata.
Rreth ndarjes së granteve është ankuar klubi i volejbollit për vajza “Vushtrria”.
Sipas klubit, ndonëse i kanë plotësuar të gjitha kriteret kanë mbetur jashtë listës së përfituesve dhe fajin për këtë ia hedhin komisionit vlerësues.
KV “ Vushtrria” numëron rreth 80 vajza të regjistruara si anëtare të këtij klubi në Federatën e Volejbollit të Kosovës.
“Këtë vit vështirësia kryesore ka qenë vështirësia financiare, ne e kemi pasë një ankesë dhe një revoltë nga ana e klubit tonë për shkak të ndarjes së subvencioneve të vitit 2024 nga Komuna e Vushtrrisë, realisht nga DKRS. Edhe pse këtë vit KV “Vushtrria” për femra është bërë pjesë e Superligës së Kosovës në volejboll, faktikisht është hequr nga skema e granteve nga DKRS-ja. Ne po mendojmë që komisioni vlerësues për ndarjen e granteve ka qenë joprofesional dhe i njëanshëm” – ka deklaruar Besmir Ahmeti, trajner i KV “Vushtrria”.
Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport lidhur më këto ankesa thotë së e gjithë përgjegjësia për përzgjedhjen e përfitueseve bie mbi komisionin vlerësues dhe nuk kanë të drejtë të ndërhyjnë në punën e komisionit.
“Ne si Drejtori vetëm propozojmë. Ky ka qenë vendimi i komisionit, prandaj komisioni e bart peshën dhe përgjegjësinë. Por nuk e besoj që është një gjendje e tillë sepse të gjitha klubet kanë peshën dhe rëndësinë e vet, ne nuk mundemi me vendosë diçka kundër vullnetit dhe vendimit të komisionit” – ka deklaruar drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Izet Miftari.
Ndërkaq, kryetari i komisionit vlerësues, Qemajl Hasani, lidhur më këto pretendim është përgjigjur se komisioni për shqyrtimin e aplikacioneve të kësaj thirrjeje publike ka shqyrtuar të gjitha aplikacionet dhe për të njëjtat ka vendosur sipas legjislacionit në fuqi.
“Komisioni për shqyrtimin e aplikacioneve të kësaj thirrjeje publike ka shqyrtuar të gjitha aplikacionet dhe për të njëjtat ka vendosur konform legjislacionit në fuqi. Mund të konstatoj se komisioni ishte profesional dhe vendimet i ka marrë konform konkursit publik” – është përgjigjur ai.
Shuma për të cilën ka aplikuar KV “Vushtrria” ishte 6,800 euro, shumë kjo që sipas tyre do u ndihmonte të mbulonin shpenzimet për një vit në Superligën e Volejbollit të Kosovës.
“Ne kemi aplikuar për 6,800 euro për arsye së shuma të cilën ne e kemi kërkuar ka qenë një shumë e balancuar për me kalu një vit kalendarik në volejbollin e Kosovës,. Por anomalia më e madhe në krejt këtë është thirrja të cilën e ka shpallë DKRS-ja në atë thirrje kanë qenë 94,000 euro grante, të cilat kanë pasë me u shpërnda, mirëpo, janë nda vetëm 48,500 euro dhe shuma tjetër nuk është nda për klube” – tha Hasani.
Ankesa tjetër e KV “Vushtrria” është së përfituese e këtyre subvencioneve ka qenë edhe një shkollë private e futbollit dhe jo klubi i tyre që përfaqëson qytetin e Vushtrrisë në Superligë.
“Një nga përfituesit është edhe shkolla private e futbollit, përderisa një shkollë private mban aktivitetet e tyre në kompleksin e vet dhe gjitha ata të rinj dhe të reja paguajnë për aktivitete, ne mbajmë aktivitete pa pagesë këtu në palestër dhe nuk marrim pagesa nga lojtaret sepse ata e përfaqësojnë klubin tonë ndërsa ata (shkolla private) prapë marrin grant” – ka thënë trajneri i klubit Besmir Ahmeti.
Mirëpo, nga DKRS thonë së ky klub është mbështetur më herët me një fond të përbashkët që ka qenë mes Komunës së Vushtrrisë dhe Qeverisë Japoneze.
“Komuna për Rininë përmes Ministrisë së Administratës dhe Pushtetit Lokal, prej një fondi të grantit qeveritar japonez përmes Bankës Botërore që ka ndarë një shumë për më i përkrahë të rinjtë, e një ndër ta ka qenë i përzgjedhur edhe KV “Vushtrria”, ku 15% e totalit të këtij fondi që ka fituar ky klub ka paguar Komuna e Vushtrrisë, nga 8,280 euro sa ka qenë granti që ka fituar klubi, 1,242 euro ka paguar Komuna” – ka njoftuar Izet Miftari nga DKRS.
Mbështetja e Komunës për disa klube del të jetë shumë e madhe ndërsa për disa zero. E kjo ka ngjallur një tjetër shqetësim për klubin.
“Kuvendi Komunal me vendim i ka ndarë nja grant prej 30 mijë euro shtesë një klubi në Vushtrri. Ne nuk jemi kundër që ia kanë ndarë, shumë mirë që ia ka ndarë Klubit të Hendbollit “Samadrexha” për femra, mirëpo nëse një klub e subvencionon brenda një viti kalendarik 35,000 euro, dhe një klub tjetër e lë me zero (0) euro, d.m.th. ne nuk po lujshim për Vushtrrinë” – tha trajneri i KV “Vushtrria”, Besmir Ahmeti.
Lidhur më këtë nga klubi thonë së kanë bërë ankesë, por ankesa u është refuzuar me arsyetimin së nuk kanë marrë pikët siç ka qenë e paraparë në shpallje dhe për këtë nuk janë pjesë e listës së përfituesve.