Xhafer Tahiri. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Komuna e Vushtrrisë: MKRS bëri ndërhyrje politike

Komuna e Vushtrrisë, e ka quajtur ndërhyrje dhe ndikim politik reagimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e cila ndali rrënimin e objektit të ish-Gjykatës në këtë qytet.

Përmes një shkrimi në Facebook bërë në faqen zyrtare të komunës, drejtuesit komunal vushtrrias, kanë thënë se ish- objekti i Gjykatës nuk përbënë një trashëgimi kulturore të periudhës komuniste që duhet ruajtur.

“Për të gjitha këto arsye, Komuna e Vushtrrisë kërkon nga MKRS që të bashkëpunoj me Komunën e Vushtrrisë, të veprojë me transparencë e mos veproj mbi baza të interesave partiake që tashmë janë publike, por të jetë në funksion të ruajtjes së trashëgimisë kulturore të Vushtrrisë, duke ndarë buxhet për këtë qëllim”, thuhet mes tjerash në reagimin e Komunës së Vushtrrisë.

KALLXO.com më herët raportoi se të dielën Komuna e Vushtrrisë ka filluar rrënimin e objektit të ish-Gjykatës Komunale, por u pengua nga aktivistë të shoqërisë civile dhe nga opozita.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për përpjekjet e qeverisë së Xhafer Tahirit për ta rrënuar objektin e gjykatës, veprime këto që janë kundërshtuar edhe nga Ministria e Pushtetit Lokal.

Postimi i plotë postuar në llogarinë e komunës në “Facebook” 

Mbi objektin e ish Gjykatës në Vushtrri

Komuna e Vushtrrisë është tepër e interesuar për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të qytetit më të vjetër në Kosovë, por ish objekti i Gjykatës nuk përbënë një trashëgimi kulturore të periudhës komuniste që duhet ruajtur sepse:

  1. QRTK në Mitrovicë, në vizitën e bërë në terren ish objektit të Gjykatës, gojarisht i kanë kumtuar zyrtarëve komunal që ky objekt nuk përbënë trashëgimi kulturore. Zyrtarët komunal janë të gatshem të dëshmojnë kudo e në çdo kohë se ky ishte qëndrim zyrtar i QRTK Mitrovicë në vizitën në terren e mbi këtë vlerësim gojor, Komuna duke mos dashur të humb kohë të pres të njejtin vlerësim me shkrim, ka vepruar për rrënim të objektit. Tani MKRS me ndikim politik po tenton të ndërhynë në vlerësimet e QRTK Mitrovicë. Ne në proces gjyqësor do të kërkojmë deklaratë nën betim të QRKT Mitrovicë sepse ose atë ditë e kanë vënë në lajthitje institucionin e Komunës ose tani po ndryshojnë vendim sipas instruksionebe politike.
  2. Objekti i ish Gjykatës në vlerësim të dy ekipeve të ekspertëve është konstatuar që nuk ka qëndrueshmëri e as stabilitet ndaj përbënë rrezik për jetën e qytetarëve. Nëse MKRS politikisht e fut në listë për vlerësim të mëvonshëm, duhet urgjent të siguroj buxhet për këtë objekt që të eliminoj rrezikun për qytetarët. Mbi këto vlerësime ekspertësh, KUVENDI I KOMUNËS, jo Kryetari ka marrë vendim për rrënim të objektit.
  3. Kostot financiare për mirëmbajtje të këtij objekti janë të papërballueshme për Komunën e nuk janë paraparë as në Kornizë afatmesme buxhetore të MKRS.
  4. MKRS nuk ka shfaq asnjë interesim për këtë objekt e as për objektet e trashëgimisë kulturore në Vushtrri, duke ndarë 0 € buxhet për objektet si Ura e Vjetër e Gurit, Hamami i Qytetit, Shtëpia e Shaban Agës, Shtëpia e Zejnullah Begut etj. Pra pse kjo nguti e MKRS për ish objektin e Gjykatës.
  5. Po të ishte objekt me qëndrueshmëri e i sigurtë, vet KGJK nuk do të shpenzonte mjete buxhetore e të ndërtonte një objekt të ri për Gjykatën në Vushtrri por do të vazhdonte punën në këtë objekt.
  6. Për sa i takon ruajtjes së objekteve të ndërtuara në ish regjimin komunist si objekt trashëgimnie kulturore të asaj periudhe të errët, për qytetin e Vushtrrisë vlerësojmë se mjafton të ruhet psh objekti i Postës sepse ka kosto 0 buxhetore si për MKRS ashtu edhe për Komunën, pastaj banesat e bardha ose edhe banesat e kuqe në qendër të qytetit e që të tri këto objekte janë ndërtuar në periudhën e komunizmit dhe kanë nevojë për renovim.

Pra 1. janë të sigurta, 2. kanë kosto financiare më të ulët dhe 3. përmbushin kriterin që ju intereson juve, trashëgimi e kohës së komunizmit.

  1. Në këtë objekt të ish Gjykatës, të pa kujdesur nga askush, kryhen veprime të kundërligjshme nga përdorures drogash dhe përbënë rrezik. Prandaj tash e tutje, MKRS bartë të gjitha përgjegjësitë materiale e penale si për veprimet e kundërligjshme aty ashtu edhe për dëmet ndaj qytetarëve.
  2. Se MKRS po vepron politikisht mjafton fakti që Ju jeni interesuar për këtë objekt vetëm pasi Kuvendi ka nxjerrë vendim për rrënim, i cili vendim pastaj nga partia juaj është sjellur tek ju për vlerësim.
  3. Në të njejtin vend ku tani është Gjykata, Kuvendi i Komunës me Vendim ka caktuar ndërtimin e Sheshit ‘Pavarësia’.

Për të gjitha këto arsye, Komuna e Vushtrrisë kërkon nga MKRS që të bashkëpunoj me Komunën e Vushtrrisë, të veproje me transparencë e mos veproj mbi baza të interesave partiake që tashmë janë publike, por të jetë në funksion të ruajtjes së trashigimisë kulturore të Vushtrrisë duke ndarë buxhet për këtë qëllim.

 

Në kundërshtim me vendimin e MAPL-së, Komuna e Vushtrrisë nënshkruan kontratën për rrënimin e objektit të ish Gjykatës