Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Komuna e Vushtrrisë me zbatueshmëri të ulët të rekomandimeve

Prokurimi ka dalë të jetë fusha më problematike në Komunën e Vushtrrisë. Në katër vitet e fundit Komuna e Vushtrrisë ka marrë 19 rekomandime për adresim të shkeljeve dhe parregullsive në prokurim, ndërsa vetëm në vitin 2019 ka marrë gjithsej 7.

Në vitin 2019, nga 16 rekomandimet e vitit 2018, Komuna e Vushtrrisë i ka zbatuar vetëm 2 prej tyre. 5 prej tyre ishin në proces të zbatimit, 8 rekomandime të pazbatuara, 1 rekomandim i mbyllur i pazbatuar.

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) së bashku me Zyrën Kombëtare të Auditimit dhe Ambasadën Holandeze kanë organizuar debatin “Roli i Auditorit dhe qytetarëve në mbikëqyrjen e të ardhurave dhe shpenzimeve komunale” në Komunën e Vushtrrisë.

Pjesë e debatit ku u diskutua për gjetjet e Auditorit në Komunën e Vushtrrisë ishte kryetari i Komunës, Xhafer Tahiri, ambasadorja e Holandës në Kosovë, Carin Lobbezoo, Auditori i Përgjithshëm, Besnik Tahiri, asamblistë të Kuvendit Komunal të Vushtrrisë, shoqëria civile dhe përfaqësuesit e BIRN.

Ambasadorja e Holandës në Kosovës, Carin Lobbezoo deklaroi që ata kanë mbështetur këtë projekt për shkak se qytetarët duhet të dinë se si po shpenzohen paratë nga të zgjedhurit e tyre.

“Qytetarët duhet të dinë se si të zgjedhurit e tyre janë duke bërë punë të mirë për ta, shpenzojnë paranë si duhet dhe kjo është arsyeja pse me anë të projektit tonë e kemi mbështetur BIRN-in dhe rolin e Auditorit të Përgjithshëm në Kosovë”, ka deklaruar Lobbezoo.

Lobbezoo tregoi se si kolegët e saj i kanë folur mirë për Komunën e Vushtrrisë.

“Kolegët e mi kanë folur shumë mirë për Vushtrrinë dhe traditën që e ka Komuna e Vushtrrisë, çaji e di që është shumë me rëndësi për komunën edhe ushqimin e keni të mirë. Në komunën tuaj është edhe një person me rëndësi, Milot Rashica i cili ka luajtur në Holandë. Kosova dhe Holanda kanë punuar shumë në dy dekadat e fundit dhe shpresojmë që do të vazhdojmë të punojmë në periudhat e ardhshme”, tha ajo.

Redaktori përgjegjës i BIRN, Visar Prebreza prezantoi gjetjet e Auditorit në raportin e vitit 2019 për Komunën e Vushtrrisë.

Prebreza numëroi fushat në të cilat Komuna e Vushtrrisë ka çaluar. Ai tha se Komuna e Vushtrrisë qëndron jashtëzakonisht mirë sa i përket ekzekutimit të buxhetit krahasuar me komunat e tjera në gjashtë mujorin e parë.

“Në Komunën e Vushtrrisë kemi 30% të buxhetit të ekzekutuar ka komuna që i kanë vetëm 7%”, ka deklaruar Prebreza.

Sipas Prebrezës, element shqetësues në Komunën e Vushtrrisë është ekzekutimi shumë i vogël i buxhetit për subvencione, i cili ka qenë 2% në 6 mujorin e parë të vitit aktual.

Për këtë gjetje kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri deklaroi se nuk ka pasur para.

“Shumë thjeshtë nuk ka pasur buxhet për ta mbushur atë kategori”, ka thënë Tahiri.

Sa i përket raportit të auditimit të vitit 2019, Prebreza tha se Komuna e Vushtrrisë qëndron mjaft keq në aspektin e zbatimit të rekomandimeve.

“Prej 16 rekomandimeve të vitit paraprak ka arritur me i zbatua vetëm 2 rekomandime që është nivel i ulët krahasuar edhe me komunat e tjera”, tha ai.

Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani e ka quajtur si negative në Komunën e Vushtrrisë zbatimin e ulët të rekomandimeve në Komunën e Vushtrrisë.

“Negative është zbatimi shumë i ulët i rekomandimeve. Më ka pëlqy, para se me ardhë këtu e kam lexu një plan të veprimit që e ka bërë Komuna e Vushtrrisë për adresimin e këtyre rekomandimeve dhe është shumë i detajuar, përmban edhe përgjegjësit edhe periudhat kohore për zbatimin e rekomandimeve por nuk mund të bëjmë hop pa e kaluar gardhin. Për pak fillojmë auditimin e pasqyrave financiare për këtë vit”, ka deklaruar Osmani.

I pari i Vushtrrisë u zotua që do të ketë zbatueshmëri më të lartë të rekomandimeve të Auditorit.

“Do të kujdesem personalisht që këtë vit të ketë zbatueshmëri më të lartë të rekomandimeve. Zotohem që unë dhe ekipi im kudo që do të hasim në vepër penale do ta dërgojmë vet në prokurori”, tha Xhafer Tahiri.

Por Tahiri ka thënë se nëse do t’i kishte zbatuar disa rekomandime do të ishte sulmuar nga opozita.

“Nëse do t’i kisha zbatu disa rekomandime do të isha sulmu nga leximi i opozitës, për shembull, është një rekrutim që është bërë pa i respektuar të gjitha procedurat, nëse do ta kisha anuluar këtë procedurë të rekrutimit, një person i caktuar do të kishte mbetur i papunë dhe unë do të isha sulmuar si kryetar komune që kam targetuar një person që nuk i takon subjektit tim politik dhe me thënë të drejtën vetëdijshëm kam vendosur që letë vazhdojë kjo situatë”, deklaroi Tahiri.

Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani e quajti pozitive zotimin e kryetarit Tahiri për zbatimin e rekomandimeve.

“Ka diçka pozitive në Komunën e Vushtrrisë, dhe pozitive është që e kemi një zotim të kryetarit për zbatimin e rekomandimeve tona dhe është pozitive që në përvojën time në vitin e fundit me Komunën e Vushtrrisë ka pasur një aktivizëm edhe të menaxhmentit të komunës të vet kryetarit të komunës gjatë procesit të auditimit edhe kjo është shumë e rëndësishme sepse besoj që e kemi kuptu mirë rolin e njëri tjetrit, që aktivizmi jonë i përbashkët mund të sjell rezultate më të mira”, ka deklaruar Osmani.

Një prej fushave ku ka pasur më së shumti gjetje në Komunën e Vushtrrisë në vitin 2019 është prokurimi. Një pjesë e madhe rekomandimeve që janë dhënë vitin e kaluar kanë qenë pikërisht në fushën e prokurimit dhe ka shkelje edhe dobësi edhe në fazën e planifikimit, në fazën e vlerësimit të tenderëve dhe në fazën e zbatimit të kontratave.

Prebreza e quajti shumë të rëndësishëm fazën e zbatimit të kontratave.

“Kjo e fundit është e rëndësishme sepse sado që komuna mundet me nënshkru kontratën më të mirë të mundshme në prokurim për realizim të një projekti kapital nëse dështon zbatimi i kontratës prapë kemi me pas një produkt jo të mirë”, është shprehur ai.

Kryetari i Komunës, Xhafer Tahiri ka thënë se menaxhimi i kontratave është një problem kronik jo vetëm i Komunës së Vushtrrisë.

“Jemi duke punuar që ta adresojmë këtë çështje duke i trajnuar zyrtarët e Komunës së Vushtrrisë. Edhe për pagesat, Prebreza ka përmendur si problematikë edhe pagesat përmes vendimeve gjyqësore për mësimdhënësit. Për të cilin tha se nuk është faji i komunës”, u zotua Tahiri.

Këshilltari komunal nga radhët e PDK-së, Lorik Maxhuni deklaroi se Auditori është shumë i rëndësishëm për shkak se shpërfaqë “dallaveret që bëhen nëpër tenderë”.

“Vlerësoj që të gjitha këto gabime nuk bëhen nga mosdija por këto gabime bëhen nga qëllimi i keq për përfitime materiale të individëve dhe grupacioneve që veprojnë brenda komunës”, deklaroi Maxhuni.

E për zyrtarët që punojnë në fushën e prokurimit tha se ata së pari janë zyrtarë komunal e mandej janë politik dhe se edhe po të jenë të PDK-së nuk i mbron.

“Së pari konsideroj që ata janë zyrtarë të komunës e pastaj duhet të veshin petkun politik, unë të keqen nuk e mbroj as brenda sojit por as kryetari nuk duhet ta mbroj”, u shpreh Maxhuni.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri deklaroi se do të marrë masa.

“Edhe unë do të marr masa vetëm mandej mos thoni se po i dënoni politikisht anëtarët e PDK-së”, deklaroi Tahiri.

Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani potencoi se nuk mund të kenë arsyetime që ligji po ua pamundëson përfundimin e projekteve me kohë.

“Nuk mund të kemi arsyetime ligji na pamundëson që t’i kryejmë projektet me kohë sepse në raportin tonë kemi që Komuna e Vushtrrisë ka hyrë në financim të projektit pa pasur fare projekt dhe ka zbatuar projekt pa pasur fare projekt. Ky nuk është fenomen vetëm te Komuna e Vushtrrisë dhe komunat e tjera, por është i shprehur gjerësisht edhe te ministritë e linjës që kanë më shumë kapacitete se vet komunat”, përfundoi Osmani.

Prebreza nga BIRN potencoi edhe gjetjet sa i përket pagesave të mësimdhënësve përmes vendimeve gjyqësore për të cilat tha se nuk është faji i komunave.

“Ekzekutimet përmes thesarit për vendimet gjyqësore e që kryesisht janë për pagesa që shkojnë për mësimdhënësit. Kjo nuk është faj i komunës për shkak se barra që iu është vendos komuna është nga nënshkrimi i marrëveshjes kolektive që është nënshkru prej Qeverisë së Kosovës, e cila më pas nuk e ka përcjellë edhe me ndarje të buxhetit në mënyrë që me mbulu atë kosto”, ka thënë Prebreza.

Borxhet ndaj komunave në përgjithësi janë të larta dhe Prebreza tha se kjo do një debat më të madh se si komunat që kanë nevojë shumë për buxhet kanë një borxh kaq të madh.

“Nëse Komuna e Vushtrrisë i ka 4 milionë euro borxhe të pa mbledhura atë herë kjo është shumë sidomos kur e dimë nevojën që kanë qytetarët për investime kapitale”, shtoi Prebreza.

Këshilltari komunal nga radhët e PDK-së, Ilmi Azemi kërkoi shpjegime nga Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani se pse është ndërruar opinioni i raportit përfundimtar të Komunës së Vushtrrisë nga ai i draftit të dorëzuar në Komunë paraprakisht.

“Pse raporti kur është dorëzu drafti ka pasur opinionin e kualifikuar ndërkohë në raportin final opinioni ka dalë i pamodifikuar? Pse është ndërru në momentin e fundit apo ka pasur ndërhyrje politike”, ka pyetur Azemi.

Auditori Osmani deklaroi se raste si të Vushtrrisë, ku është ndërruar opinioni ka edhe në 12 komuna të tjera, që qeverisen nga parti të ndryshme dhe se ndikimet politike në ZKA nuk vlejnë.

“Motivi politik do të ishte i orientuar te një forcë politike e ne sikur rastin e Vushtrrisë i kemi pasur edhe 12 komuna të tjera kur draft-raportet janë dorëzuar me opinion të kualifikuar dhe mandej kanë përfunduar me opinion të pa kualifikuar dhe më besoni që në këto 12 komuna janë të gjitha forcat politike dhe kjo për ndikimet politike te ZKA nuk vlen”, theksoi Osmani.

Më tej ai shpjegoi se draftet dorëzohen paraprakisht në komunë dhe nëse ka prova mund të ndryshohet drafti.

“Draft dërgohet me propozimin për opinion te të gjitha institucionet që të jap komentet në lidhje me raportin, brenda 15 ditëve, nëse ka munguar diçka nga dokumentacioni, nëse është shkruar diçka keq nga ne në atë draft, institucioni do ta thotë fjalën e vet. Ligji thotë se ndryshimi i draftit do të bëhet vetëm nëse ka prova e jo nëse ka deklarata apo mendime”, shtoi Osmani.

Në muajin korrik, KALLXO.com ka publikuar një analizë për raportet e auditimit të katër viteve të fundit të Komunës së Vushtrrisë.

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), në kuadër të projektit “Promovimi i rolit të Auditorit të Përgjithshëm/ZKA në Kosovë”, është duke organizuar debate nëpër komuna për të parë vështirësitë e komunave për të grumbulluar të hyrat dhe ekzekutuar buxhetin. Njëkohësisht do të diskutohen edhe gjetjet e Auditori i Përgjithshëm për komunën, me theks të veçantë ato që lidhen me financat publike. Projekti është i mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës/Ministria e Punëve të Jashtme të Holandës.

Deri më sot, debate të njëjta si në Komunën e Vushtrrisë janë mbajtur edhe në Komunën e Lipjanit dhe të Dragashit. Në ditët në vazhdim do të mbahen edhe në komuna të tjera.

KALLXO.com e ka transmetuar live debatin e mbajtur në Komunën e Vushtrrisë.

Nxehet debati ne Vushtrri

Nxehet debati ne Vushtrri

Publiée par Kallxo.com sur Mardi 29 septembre 2020