Vushtrria

Komuna e Vushtrrisë ende pa stacion të autobusave

Vushtrria është ndër të paktat qytete e cila nuk ka një stacion të autobusëve.

Xhafer Tahiri, kryetar i komunës, në vitin 2017 pati premtuar se ky projekt do të përfundonte brenda mandatit të tij katër vjeçar.

Por punimet ende nuk kanë nisur.

Tahiri në një përgjigje për KALLXO.com sqaroi arsyen e vonesës së kësaj çështje.

“Qeveria që shkoi, përkundër premtimeve, nuk na e ka kthyer pronën e ish motel Vicianum për ndërtimin e stacionit të autobusëve. Po presim që Qeveria e re ta bëjë këtë dhe besoj që deri në fund të mandatit fillojmë me ndërtimin dhe funksionalizohet ky projekt”, tha Tahiri.

I pari i Vushtrrisë tha se këtë vit janë ndarë 20 mijë euro për studimin e fizibilitetit të pronës së ish motel Vicianum, në të cilën planifikohet të ndërtohet stacioni.

Banorët e Vushtrrisë ankohen se në mungesë të një stacioni autobusësh nuk janë në dijeni për orare të tyre dhe kjo shkakton vonesa.

Aktualisht këta qytetarë udhëtojnë me linjën e autobusëve Prishtinë-Mitrovicë.

Prona e ish stacionit të ri të autobusëve në Vushtrri, në vitin 2017 u shëndrrua në një kompleks banesor.

Bajram Mulaku, në atë kohë kryetarë i komunës, nuk kishte qenë në dijeni për këtë deri kur kishin nisur punimet e banesave.