Komuna e Vushtrrisë do të subvencionojë 200 të rinj për zhvillim të shkathtësive të buta

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka deklaruar se do të subvencionojnë 200 të rinj për zhvillim të shkathtësive të buta e aftësim për punësim.

Sipas tij, qëllimi këtij subvencionimi është punësimi i të rinjve dhe të rejave të komunës së Vushtrrisë, pasi që janë 350 vende të hapura të punës që kërkojnë të rinj që i kanë këto shkathtësi.

“Subvencionimi bëhet në shkallë prej 50% ose 75.00 euro për një person, për shpenzimet e përfundimit tremujor të trajnimit. Vendimi për subvencionimin e trajnimeve të 200 të rinjve vushtrrias bëhet për zhvillim të shkathtësive të buta e aftësim për punësim e të cilët përfundojnë me sukses trajnimin dhe marrin një ofertë pune legale”, ka shkruar Tahiri në rrjetin social “Facebook”.