Komuna e Vitisë, vazhdon me angazhim për menaxhimin e situatës së krijuar nga pandemia Covid-19

 

Komuna e Vitisë, përmes Komitetit Komunal për Emergjenca dhe Qendrës Operative Emergjente Komunale, po vazhdon menaxhimin e situatës së krijuar në këtë komunë për shkak të coronavirusit.

Ndonëse në Viti deri më tani kanë qenë të konfirmuar 7 raste me coronavirus dhe në karantinë janë të vendosur fshati Stubëll dhe territori i kësaj Komune deri më tani nuk ka më raste të reja të konfirmuara me këtë virus.

Megjithatë Komuna po mbanë takime të vazhdueshme për  menaxhimin e kësaj situate, ku në krye të saj pandërprerë po merret kreu i komunës së Vitisë, Sokol Haliti.

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti gjatë një takimi që është mbajtur sot për menaxhimin e situatës së krijuar nga virusi Covid-19 i falënderoj të gjithë ata që kanë bashkëpunuar dhe po bashkëpunojnë që ky virus të mos përhapët më shumë në këtë komunë.

“Falë donatorëve të shumtë në Viti, janë shpërndarë  deri më tani mbi 1300 pako ushqimore dhe higjienike. Gjithashtu ditë më parë kjo komunë përmes Kuvendit Komunal të Vitisë, ka marrë vendim për ndarjen e 100 mijë eurove për menaxhimin e situatës emergjente të krijuar nga pandemia Covid-19”, ka thënë kryetari Haliti, njofton Komuna e Vitisë.

Tutje Haliti ka thënë se si komunë janë duke  bashkëpunuar me të gjithë që sa ma mirë të menaxhojmë këtë situatë.

“Fatmirësisht nuk kemi raste të reja të konfirmuar me coronavirus dhe kjo falë punës së komiteti, QKMF-së, Policisë dhe në veçanti falë respektimit të rregullave nga qytetarët e komunës së Vitisë. Por megjithatë ju bëjë thirrje qytetarëve tanë të ju përmbahemi  rekomandimeve të dhënë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, ISHKP-së dhe të institucioneve të tjera. Kjo gjë është në të mirën tonë të përbashkët”, u shpreh Kryetari Haliti.

Ndërkaq në komunën e Vitisë, me vendim të kryetarit të komunës të marrë me 13.03.2020 Qendra Operative Emergjente  që po vazhdon punën pandërprerë në menaxhimin e kësaj situate. Kjo qendër përbëhet nga përfaqësues të Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Emergjencës, Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare,  Policisë,  Kryqit të Kuq, Njësisë së Zjarrfikës dhe Shpëtimit dhe Zyrës për Informim Publik si dhe vullnetarisht në ndihmë ka  dalë edhe Tefik Salihu nga  shoqërisë  civile në Viti.

Kryetari Haliti gjithashtu ka  potencuar se Komuna e Vitisë po vazhdon të bashkëpunoj edhe me këshillat e fshatrave, policinë, zjarrfikësit, mjekët dhe të  gjithë të tjerë me qëllimin më të mirë që mos të ketë raste të reja të të prekurve me coronavirus.