Komuna e Vitisë: Inspeksioni ka asgjësuar 28 ton artikuj ushqimor në 2019-ën

Drejtori i Inspeksionit në Komunën e Vitisë, Skendër Ahmeti, ka bërë të ditur se gjatë vitit që lam pas (2019) janë asgjësuar mbi 28 ton artikuj ushqimorë dhe që sipas tij, ka tejkaluar të hyrat vetanake për 160%.

Kështu ka bërë të ditur Komuna e Vitisë në një postim në Facebook nga konferenca e sotme e drejtorit te Inspeksionit.

“Kemi bërë kontrollimin e artikujve ushqimor të marketeve dhe janë gjatë vitit 2019 janë asgjësuar mbi 28 ton të artikujve ushqimor të natyrave të ndryshme që nuk i kanë plotësuar kushtet për konsum. Kjo është bërë në bashkëpunim me Agjencionin e Ushqimit dhe Veterinarisë, pra me inspektorët e tyre dhe inspektorët tanë. Por disa biznese edhe vetë kanë bërë eliminimin dhe izolimin e tyre edhe kjo është bërë në prani të inspekcionit”, citohet të ketë thënë Ahmeti.

Më tej thuhet se ka folur edhe mbi ndëshkimet me gjoba mandatore, zbatimin e ligjeve për ndalimin e fletushkave dhe reklamave të ndryshme në qytetin e Vitisë dhe e gjithë kjo sipas tij është bërë me qëllim të mbrojtjes së ambientit.

Ndërkaq, sa i përket çështjes se sigurisë në komunikacion se janë bërë me dhjetëra ndalime të punimeve pa leje dhe në disa raste janë ngritur edhe procedura dhe kallëzime penale duke iniciuar edhe kërkesa për kundërvajtje në gjykatë.

“Ai gjatë kësaj konference ka përmendur edhe punën e bërë në sektorë të tjerë të kësaj drejtorie si në atë të veterinarisë, çështja e sëmundjes së brucelozës dhe groposjen e kafshëve të ngordhura, vaksinimet e tyre, inspektime të produkteve të mishit por edhe për sektorët e tjerë si të pronës, sanitarisë e të tjerë”, thuhet në postim të Komunës së Vitisë.