Komuna e Suharekës - Foto: Facebook / Komuna Suharekë

Komuna e Suharekës pagoi parmakët që nuk u vendosën në një urë

Komuna e Suharekës gjatë vitit 2020 ka paguar punë të cilat nuk janë realizuar.

Sipas gjetjeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit, Komuna e Suharekës në tenderin “Ndërtimi i urave në komunë – Leshan, Reshtan, Studenqan –Tërnje, Suharekë (Mulliri i Beqës)”, në vlerë prej 134,914 euro, ka paguar te operatori punë të pakryera.

Siç thuhet në raportin e auditorit, në njërën prej urave nuk janë vendosur parmakët e urës, e që janë paguar nga komuna.

“Kemi identifikuar se pozicioni i ofertës financiare sipas kontratës 1.6.1 (Furnizimi, transporti, punimi, vendosja dhe ngjyrosja e rrethojës, parmakëve të urës sipas standardeve me profile, tuba të çeliktë S275) i përcaktuar në total për katër ura me vlerë 5,740€ (si sasi 4,592kg) nuk ishte realizuar në tersi sepse në njërën nga urat (te  Mulliri i Beqës në Suharekë) nuk ishin të vendosura parmakët”, thuhet në raportin e auditorit.

Në raport po ashtu thuhet se vendosja e këtyre parmakëve figuron si punë e kryer.

Sipas auditorit kjo ka ndodhur ëpr shkak mungesës së kontrollit në planifikimin fillestarë me paramasë dhe parallogari nga njësia kërkuese (ku parmakët janë vendosur në kilogram dhe vlerë të cilat gabimisht ishin llogaritur vetëm për tri ura) dhe menaxhimit jo të mirë të kontratës respektivisht pranimit të punimeve nga komision mbikëqyrës ku nuk ishte precizuar se njësit janë harxhuar dhe një urë ka mbet pa u përfunduar.

Sipas auditorit, dobësitë me rastin e pranimit të punëve jo në përputhje me kontratën nga komisioni i pranimit dhe menaxheri i kontratës rezulton me pagesa të parregullta për punët të cilat nuk janë kryer sipas kontratës dhe dëmton buxhetin e Komunës.

ZKA ka rekomanduar që kryetari duhet të sigurojë se komisionet e pranimit dhe menaxherët e kontratave aplikojnë kontrolle efektive me rastin e pranimit të punëve/furnizimeve dhe se pagesat bëhen vetëm për punët/furnizimet e realizuara në përputhje me kontratën.

Ligji për Prokurimin Publik si dhe Rregullat dhe udhëzuesi për prokurimin publik, përcaktojnë kriteret për menaxhimin e kontratës. Sipas pikës 61.19 (b) të RRUOPP një nder përgjegjësit e menaxherit të projektit do duhet të “sigurojë se operatori ekonomik kryen kontratën në përputhje me termat dhe kushtet e specifikuara në kontratë”.