Foto: KALLXO.com

Komuna e Suharekës me zbatueshmëri mesatare të rekomandimeve

Regjistrimi i Pronës ka dalë të jetë fusha më problematike në komunën e Suharekës. Në 5 vitet e fundit del që Komuna e Suharekës ka qenë ndër komunat mesatare sa i përket numrit të rekomandimeve që ka pranuar. Pra, ka komuna që kanë pranuar deri ne 24 e 30 rekomandime, ndërsa Komuna e Suharekës ka qenë në mes të 10 dhe 14 rekomandimeve të pranuara.

Në vitin 2018 kanë qenë 12 rekomandime, e në vitin 2019 vetëm 10 rekomandime. Kurse në raportin e fundit janë vetëm 6 rekomandime që i ka dhënë auditori.

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) me mbështetjen e USAID për Komuna Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse organizuan debatin për gjetjet e auditorin në komunën e Suharekës.

Pjesë e debatit ku u diskutua për gjetjet e Auditorit në Komunën e Suharekës ishte kryetari i Komunës, Bali Muharremaj, Auditori i Përgjithshëm, Shkëlqim Xhema, asamblistë të Kuvendit Komunal të Suharekës, shoqëria civile dhe përfaqësuesit e BIRN.

Redaktori përgjegjës i BIRN, Visar Prebreza prezantoi gjetjet e Auditorit në raportin e vitit 2020 për Komunën e Suharekës.

Prebreza ka numëruar fushat në të cilat Komuna e Suharekës ka çaluar. Ai tha se kjo komunë ka progres sa i përket uljes së rekomandimeve që ka pranuar ndër vite.

“Kemi një çalim të zbatimit të kontratave që nënshkruhen përmes prokurimit. Kur them ka çalim ka të bëjë që zakonisht kemi problem kur komunat kanë kapacitet të limituar për sa i përket caktimit të menaxherëve të kontratës kur komunat nuk arrijnë me i zbatu kontratën ashtu sic e nënshkruajnë. Këtë rekomandim unë besoj që kryetari duhet me marrë shumë seriozisht që me e shtri komplet kontrollin sa i përket kontratave të nënshkruara që me u zbatu ashtu qysh duhet”, ka thënë Prebreza.

Gjithashtu, Prebreza ka vënë në theks një nga gjetjet e auditorit e cila është çështja e pagesave që janë bërë nga investimet kapitale për shpenzime që do të duhej të ishin për Mallra dhe Shërbime.

“Kjo është një dobësi që ka qenë edhe në vitin 2019 dhe është përsërit edhe në vitin 2020. Tash, në bazë të përvojës, e dimë që disa komuna na kanë thënë që keq-klasifikime të tilla po bëhen për shkak të tavaneve që i vendos ministria e Financave”, ka njoftuar Prebreza.

Për këtë gjetje kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj tha se këtë e ka bërë me vetëdije të plotë për shkak se nuk i kanë rritur kategoritë e mallrave dhe shërbimeve.

“Kemi bo gabime me vetëdije, ku këtë problem e kemi pasur edhe këtë vit. Tri herë e kemi pru në asamble dhe tre herë nuk na ka pranuar Ministria e Financave. Edhe tek pranimi i punëtorëve te shëndetësia mjekë dhe infermierë që i kemi paguar me investime kapitale, mirëpo kjo ka kaluar në asamble”, ka thënë Muharremaj.

Tutje kryetari ka thënë se këtë vit ka bërë kërkesë për rritjen e mallrave dhe shërbimeve, rritja e të cilave nuk është bërë aq sa është kërkuar.

“E dimë që kemi bërë shkelje por s’kemi pasur zgjidhje tjetër”, ka njoftuar ndër të tjera Muharremaj.

Çështje tjetër problematike që u vu në pah nga Visar Prebreza ishte edhe borxhet e komunës ndaj së cilës qytetarët dhe bizneset kanë 5 milionë euro borxh.

“Është e qartë që viti i kaluar nuk ka qenë më i miri që me nis me i mbledh borxhet për shkak të pandemisë, mirëpo është një sinjal që komunat duhet seriozisht me e trajtu çështjen e borxheve që qytetarët dhe bizneset ia kanë komunës” ka thënë Prebreza.

Prebreza tutje është shprehur se komuna në asnjë mënyrë nuk duhet të tolerojë që mos të paguhen qiratë për pronat komunale që janë dhënë në shfrytëzim.

Për këtë çështje kryetari Bali Muharremaj ka thënë se është falënderues ndaj opozitës në asamble të cilët kanë formuar një komision dhe kanë dalur në terren për të bërë regjistrimin e të gjitha pasurive dhe të gjitha borxheve.

“Sa ju përket borgjeve shfrytëzoj rastin me i falënderu opozitën që e kanë formu një komision në asamble komunale dhe kanë dalë në terren dhe e kanë bërë regjistrimin e të gjitha pasurive dhe të gjitha borxheve. Të gjitha këto i kemi publiku në web faqe të komunës dhe besoj që shumë shprejtë do të marrim masa konform ligjeve të cilët janë në fuqi”, ka treguar Muharremaj.

Në bazë të raportit të auditorit Visar Prebreza ka njoftuar se zyrtari i cili ka qenë përgjegjës për E-Pasurinë nuk ka qenë i trajnuar mirë.

“Është shqetësuese kur në raport të auditorit theksohet se zyrtari i cili ka qenë përgjegjës me i fut të dhënat në pasuri nuk ka qenë i trajnuar. Kjo po ashtu duhet me u diskutu dhe me u pa mundësia nëse duhet dikush me u  angazhu më një kontratë për shërbime, dikush i cili din me përdor teknologjinë informative dhe njëkohësisht trajnohet sa i përket pronës”, ka thënë Prebreza.

Për këtë çështje Bali Muharremaj ka thënë se “Tek regjistrimi i pasurisë e kemi gjetë një problem shumë të madh, por këtu shfrytëzoj rastin me falënderu drejtorin e financave dhe auditorin e brendëshëm ku e ka bo planin e veprimit. Ne kemi fillu përniher me këto gjashtë rekomandime”.

Sa i përket subvencioneve, sipas Muharremajt është e vërtetuar që vitin e kaluar subvencionet janë lëshuar nga Ministria e Kulturës dhe në fund është dashur të u formohet një komision për ankesa. Ai ka theksuar se listat janë të qarta dhe janë në faqe të komunës ku për secilin dihet se cka ka marrë dhe ku i kanë destinuar ato mjete.

Premtimet e kryetarit të Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj të dhëna në debat:

  1. Në vitin 2021 nuk do të ketë keq-klasifikime pasi që ka ngritje të mallrave dhe shërbimeve.
  2. Do t’i përdorë përmbaruesit për mbledhjen e borxheve.