Komuna e Skenderajt rrënon objektin që po ndërtohej në pronë publike

Komuna e Skenderajt ka njoftuar se përmes Drejtorisë së Inspektoratit, sot në qendër të Likocit, është rrënuar një objekt që ka filluar të ndërtohet në pronë publike.

Komuna e udhëhequr nga Fadil Nura ka deklaruar se të tilla ndërtime nuk duhet lejuar përderisa, siç thonë ata, nuk i nënshtrohen filtrit rregullativ të përcaktuar me ligjet që vlejnë për secilin.

“Aksioni i sotëm ku është rrënuar një objekt privat, i ndërtuar në pronë publike në Likoc, është një shenjë e gatishmërisë sonë për të pasur rregull, rend dhe ligj”, thuhet në postimin e publikuar nga Komuna e Skenderajt në rrjetin social “Facebook”, ku ka bashkangjitur edhe fotografi nga vendi i ngjarjes.

Më 22 nëntor 2021, ish-kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari në “KALLXOPernime” kishte deklaruar se gjatë qeverisjes së tij ka arritur t’i lirojnë tetë prona publike që në një formë kanë qenë të uzurpuara nga qeverisja aktual – PDK.

Madje kishte thënë se i ka mbetur “merak” që nuk arriti gjatë mandatit të tij ta lirojë edhe një pjesë të pronës ku është e ndërtuar ish-shtëpia e Sami Lushtakut. Shtëpi të cilën tash e disa vite e ka shitur.

Jashari: Tetë prona publike i kam liruar, ishin të uzurpuara nga qeverisja e PDK-së