Komuna e Skenderajt në prag të festës ndanë pako ushqimore për 4000 familje

Komuna e Skenderajt ka njoftuar se në prag të festës së Fitër Bajramit, në bashkëpunim më donatorët ka nisur radhën e dytë të shpërndarjes pakove ushqimore e higjienike për 4000 familje në nevojë.

Sipas njoftimit, nga buxheti i ndarë i komunës, do të përkrahen gjithsej 2000 familje, duke përfshirë këtu ato familje që janë nën asistencë sociale dhe ato që kanë mbetur pa të ardhura ditore e mujore si pas​ojë e virusit Covid-19, kurse nga vullnetarët do të dergohen edhe për 2000 familje të tjera në nevojë.

I pari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, deklaroi se në festën e fiter Bajramit, tryezat e nevojtareve nuk do të jenë bosh.

“Të gjithë qytetarët e komunës sonë do të kenë sofrën e Fitër Bajramit të mbushur plotë. Sapo filluam me shpërndarjen e pakove ushqimore për 4000 familje të komunës sonë, duke përfshirë familjet në asistencë sociale dhe familjet të cilët kanë mbetur pa të ardhura në këtë kohë pandemie si pasojë e vendimeve të qeverisë”, tha Jashari.

“Nga 4000 pako ushqimore sa do të shpërndajmë sot dhe nesër, 2000 pako ushqimore janë të financuara nga buxheti i komunës sonë dhe 2000 tjera nga donatorë, humanist të ndryshëm, shoqata bamirëse, biznese, organizata vendore e ndërkombëtare dhe bashkëkombës nga diaspora jonë e dashur. Falënderimet së pari i takojnë Zotit të madhërishëm dhe pastaj donatorëve humanistë për përkrahjen e tyre dhënë familjeve në nevojë në këtë situatë emergjente”, citohet të ketë thënë Jashari.

Siç bëhet e ditur, përzgjedhja e familjeve përfituese të pakove është bërë nga lista e familjeve në asistencë sociale të cilën e posedon Drejtoria për Mirëqenie Sociale, e poashtu edhe nga bashkëpunimi i kryetarëve të fshatrave me komunën, të cilët kanë parë nga afër dhe kanë raportuar për rastet e familjeve nevojtare.

“Që nga fillimi i epidemisë në Kosovë e deri me tani, me përkrahjen e komunës dhe donatorëve të shumtë janë shpërndarë pako ushqimore dhe higjienike për rreth 4000 familje me asistencë sociale, kontigjenti i parë në muajin mars dhe prill kurse sot dhe nesër kontigjenti i dytë”, vijon njoftimi.