Komuna e Skenderajt miratoi buxhetin e vitit 2021

Komuna e Skenderajt në seancën komunale ka miratuar buxhetin e vitit 2021, në vlerë prej 14 milion e 207 mijë euro, që është dukshëm ma i lartë se këtë vit. Buxheti i këtij viti ka qenë 13,522,188 euro.

Kryetari i kësaj Komune, Bekim Jashari ka deklaruar se me këtë buxhet do të përfundojnë shumë projekte kapitale në realizim e sipër. Ai shtoi se do të fillojnë realizimin e 58 projekteve të reja në shumë fusha në rritje të nivelit të mirëqenies së qytetarëve.

“Investime në ujësjellës, kanalizim, rrugë, trotuar, ndriçim, mjedis, parqe, shërbime shëndetësore efikase, kushte më të mira të shkollimit, përkrahje për biznese dhe start-up, mbështetje për rini, kulturë e sport e investime tjera që do të përmirësojnë jetën e qytetareve në të gjitha sferat”, tha Jashari.

Jashari tha se me këtë buxhet të miratuar vitin që vjen do të sigurohet ujë të pijshëm edhe për 10 fshatra tjera pas 10 atyre që kemi bërë me ujë të pijshëm këtë vit dhe “kështu do të arrijmë që në shumicën e fshatrave të kemi ujë të pijshëm për qytetarët tonë”.

“Do të vazhdojmë me investime ne bujqësi, përmes përkrahjes së fermerëve me grante, bashkë edhe me donatorët, me projekte në shëndetësi përmes dyfishimit të buxhetit për këtë kategori, përkrahje për studentë dhe kushte më të mira për nxënësit, menaxhim të mbeturinave dhe rritje të zonave të gjelberta dhe mirëmbajtje të atyre ekzistuese, zgjerim të rrjetit të kanalizimit etj”, ka shrkuar Jashari në rrjetin social “Facebook”.