Komuna e Skenderajt krijon fondin përmes të cilit do të ndihmohen familjet e dëmtuara pas vërshimeve

Vërshimet e javës së kaluar që përfshinë Kosovën kanë lënë pasoja të mëdha. Qindra shtëpi e vetura u dëmtuan vetëm në Skenderaj nga përmbytjet ndërsa vërshimet depërtuan edhe në ferma bujqësore dhe biznese.

Nënkryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku ka njoftuar për krijimin e një fondi të Komunës së Skenderajt përmes të cilit do të ndihmohen familjet që kanë pësuar nga vërshimet.

“Me qëllim të përballimit të situatës së rëndë që është krijuar pas vërshimeve në komunën tonë, lus të gjithë qytetarët brenda dhe jashtë vendit, bizneset, shoqatat bamirëse, fondacionet e gjithë njerëzit e vullnetit të mirë, që të kontribuojnë në këtë fond përmes të cilit do të ndihmohen familjet që kanë pësuar nga kjo fatkeqësi natyrore dhe do të bëhet rindërtimi i zonave të shkatërruara të Skenderajt”- ka shkruar ai.

Edhe komunat si Mitrovica, Klina e Drenasi kanë pësuar dëme të mëdha nga vërshimet e përmbytjet. Disa familje në Mitrovicë për shkak të dëmeve kanë mbetur pa shtëpi.