Ministria e Bujqësisë

Komuna e Skenderajt: Komisioni vlerësoi dëmet në pronat e tyre dhe të familjarëve

Komuna e Skenderajt ka akuzuar një komision komunal të themeluar me vendim të ish-kryetarit Bekim Jasharit, për konflikt interesi në kohën kur kanë vlerësuar dëmet e shkaktuara në kulturat bujqësore nga moti i keq. Sipas tyre, ata kanë vlerësuar dëmet në pronat e tyre dhe të familjarëve.

Komisioni i formuar në shkurt të vitit 2021, sipas komunës së udhëhequr nga Fadil Nura, ka abuzuar me përgjegjësitë e tij për të vlerësuar dëmet. Ata kanë akuzuar kryetarin e komisionit, Sokol Hoxha, ka vlerësuar vlerën e dëmit në pronën e tij për kulturat misër dhe fasule me 5 mijë euro.

Ndërsa anëtari tjetër i komisionit ka vlerësuar aplikacionin e djalit të tij në vlerë prej 4179.33 euro.

Sipas tyre, në këtë mënyrë kanë vepruar kundërshtim të plotë me Ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionin publik.

Komuna ka paralajmëruar se çështja në fjalë do të adresohet në Prokurorinë e Shtetit dhe në komisionin përkatës disiplinor.

KALLXO.com ka kontaktuar me kryetarin e Komisionit, Sokol Hoxha, i cili njëkohësisht është edhe shef i sektorit për Mbrojtje dhe Shpëtim.

Hoxha deklaroi se nuk ka qenë mirë i informuar se kjo mund të përbëjë konflikt interesi. Sepse siç thotë ai, ka vepruar me trasparencë.

“Unë si çdo qytetar tjerë, kam një tokë bujqësore që e ka shfrytëzu babë e babëgjyshë. Kam 6 hektarë tokë, por janë në pyetje 2 hektarë. Ajo ka pësu vërshime, të gjithë që e kanë kalkuluar, nuk ka kurrgjë msheftas. Gjithçka është transparente, kam dashtë vetë me qenë i barbartë sepse jam në mesin e gjithë qytetarëve tjerë që janë dëmtu, edhe kam dashtë vetëm dëmi me m’u vlerësu kurrgjë ma shumë. Shuma që është (5.000 euro) nuk është ndër më të lartat siç kanë thanë. Komisioni ka shku, kemi qenë të ndarë. Janë marrë parasysh të gjitha sipas procedurave dhe ka dalë qajo shumë”, u shpreh ai teksa shtoi se nga këto mjete nga Ministria e Bujqësisë i janë dhënë 37 për qind ose rreth 1.800 euro.

“Ndoshta nuk jam njoftuar mirë me ligjin, unë kam mendu me qenë transparent, kurrgja nuk kam mendu në atë drejtim se asnjëherë nuk kam keqpërdorë ose kam tentu të përfitojë”, u shpreh ai.

Ai thotë se komuna i kishte kërkuar të dhënat nga Drejtoria e Bujqësisë, por që ende atij nuk i është dhënë mundësia që ta sqarojë.

“Kam lypë me ua sqaru, edhe në komision disiplinor do ta sqarojë. Nuk më kanë ftu ende”, thotë ai.

Ndërkaq i pyetur për rastin ku anëtari tjetër i komisioni është përfshirë, tha se nuk e di sepse kanë qenë në disa prona nga dy persona.