Komuna e Skënderajt gjobit një qendër tregtare për mashtrim me çmim të produktit ushqimor

Inspektorët e Drejtorisë së Inspekcionit të Komunës së Skënderajt kanë gjobitur njërën nga qendrat më të mëdha tregtare për mashtrim me çmim të produktit ushqimor.

Në njoftimin e Komunës potencohet se qendra tregtare është gjobitur 500 euro.

“Në saje të bashkëpunimit të mirë me qytetarë, të cilët po tregojnë qytetari të lartë, duke bashkëpunuar me institucionet komunale, Inspektorët e Drejtorisë së Inspekcionit të Komunës së Skenderajt, kanë gjobitur njërën nga qendrat e mëdha tregtare, pasi është konstatuar mashtrim me çmimin e produktit ushqimor”, thuhet në njoftim.

Në njoftimin e Komunës theksohet se qytetari që denoncoi rastin pagoi një produkt në vlerë 3,79 euro edhe pse kishte qenë me zbritje 3,19 euro.

“Sipas aktvendimit zyrtar të Drejtorisë së Inspekcionit, qytetari që e ka denoncuar rastin, ka paguar produktin me çmimin prej 3.79 euro, edhe pse i njëjti ka qenë në zbritje 3.19 euro. Inspektorët kanë dal në vendin e ngjarjes dhe pasi kanë vlerësuar dëshmitë, kanë konstatuar veprën, e cila bie në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtje të Konsumatorit”, thuhet tutje në njoftim.

Komuna e Skenderajt ka ftuar gjithë qytetarët që të vazhdojnë bashkëpunimin me Komunën, e cila nuk do të bëjë përjashtime kur vihet në pyetje interesi i qytetarit.