Komuna e Skenderajt fillon ndërtimin e një poligoni multifunksional sportiv

Komuna e Skenderajt ka njoftuar se kanë filluar punimet për ndërtimin e një poligoni multifunksional, në të cilin përveç një hapësire sportive, ata paralajmërojnë edhe ndërtimin e 258 vend parkingjeve.

Në rrjetin social ‘Facebook’, kjo komunë ka publikuar disa fotografi nga plani i projektit.

“Tani dashamirët e sportit dhe rinia e Skenderajt do t’a kenë një vend të mrekullueshëm për të zhvilluar lojërat e tyre që i pëlqejnë”, thuhet në njoftim.

“Kjo hapësirë bëhet edhe më e bukur me vendparkingje të mjaftueshme që do të ndërtohen për qytetarët”, vijon komunikata e Komunës së Skenderajt.

Sipas njoftimit të datës 7 nëntor për nënshkrimin e kontratës, kontraktues është kompania Bislimi dhe vlera e përgjithshme është 193.722,54 euro.