Komuna e Skenderajt angazhoi shtatë punëtorë në QKMF pa procedura të prokurimit

Komuna e Skenderajt gjatë vitit 2022 kishte angazhuar shtatë punëtorë me marrëveshje për shërbime të veçanta pa zhvilluar procedura të prokurimit.

Sipas raportit të Auditimit, nga testimi i pesë mostrave, rezulton se këto pozita ishin kryesisht për pozita të rregullta të punës si specialist i mjekësisë, pediatër dhe staf shëndetësor.

Auditori ka gjetur se punonjësit e angazhuar ishin të sapodalur në pension të cilët më herët ishin punëtor shëndetësor në QKMF.

“Një dukuri e tillë ka ndodhur për shkak të mungesës së mjekëve të rregullt në QKMF”- theksohet tek gjetjet e Auditorit për vitin 2022.

Mbulimi i pozitave të rregullta të punës me marrëveshje për shërbime të veçanta, sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, kufizon konkurrencën e lirë, dhe ka ndikim në performancë të dobët të stafit.

Po ashtu kanë theksuar se kjo ndikon edhe në rritjen e pasigurisë nëse në pozitat e tilla është angazhuar staf adekuat apo meritor.

Kësisoji, Auditori ka rekomanduar kryetarin se duhet të sigurojë që nevojat e komunës për pozitat e rregullta të adresohen në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve.

“… dhe aty ku është e nevojshme angazhimi i stafit me marrëveshje të veçanta të respektohen kërkesat ligjore në fuqi” – vijon rekomandi i ZKA-së.

Raportin e plotë me gjetjet e Auditorit për Komunën e Skenderajt për vitin 2022 mund ta lexoni në këtë LINK